Nga Shpend Topollaj*

Në historinë e artit, kulturës dhe shkencës ka pasur një pafundësi rastesh kur edhe pse Tri Fatitë janë treguar të pamëshirshme dhe të kursyera, duke shpënë para kohe në gjirin e zi të vdekjes shumë talente të spikatura, përsëri ato nuk kanë mundur t`u cenojnë atyre sadopak shkëlqimin dhe reputacionin e veprës dhe emrit të ndritur që lanë pas. I tillë ishte dhe shoku ynë i shtrenjtë, kompozitori Agron Xhunga, i cili vërtet na trishtoi me ikjen e tij, por edhe na kujton se ai i meritonte plotësisht ato fjalët se “Jeta nuk matet me vite, por me jetën ndër vite.”

Me punën e tij të palodhur, duke qenë për vite të tëra kryetar i degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në Durrës, me magjinë e tingujve që hidhte në pentagram, me vlerësimet e merituara që kurrë nuk i munguan, por dhe me thjeshtësinë dhe dashamirësinë që e karakterizonte, ai jo vetëm u bë i dashur për të gjithë, por në një farë kuptimi iu bashkëngjit me dinjitet tërë figurave të ndritura që gdhendën ndër dekada fytyrën joshëse të qytetit tonë.  

Bir i dy prindërve luftëtarë antifashistë të orëve të para, ku e ëma kishte provuar dhe kampet hitleriane të përqendrimit, Agroni, pa bërë dallime, dinte të bënte miq dhe të fitonte zemrat e njerëzve të çdo moshe e profesioni. Buzëqeshja e tij plot mirësi nuk dinte të ndryshonte; ai ishte mjaft popullor, aq sa me të njëjtin sinqeritet ulej dhe pinte kafenë si me intelektualë të shquar, ashtu edhe me dokerët e Portit Detar.

Detyrën e tij si bashkëshort dhe baba i dy vajzave e kreu mjaft mirë, dhe me të njëjtin devocion e pasion punoi kudo që u caktua, e sidomos si drejtor i shkollës së mesme artistike, në pallatin e kulturës “Rinia”, ku mbahen mend “Anketat muzikore” dhe në atë që sot e quajmë qendra kulturore e fëmijëve.

Është për këtë që breza të tërë nxënësish do t`i mbesin për jetë atij mirënjohës, dhe të gjithë së bashku, pas kësaj ndarjeje të dhimbshme, do të ngushëllohemi me thënien e Virgjilit se “Gjithkush ka kohën e vet për të jetuar, jeta është për të gjithë e shkurtër dhe e pa përsëritshme: të ngresh lart emrin tënd me vepra, vetëm kjo është arritja e virtytit”.

Dhe ashtu sikurse thoshte kënga e tij: “Në muret e lashta të qytetit tim” do të përplasen dhe do të jehojnë meloditë e ëmbla që na la dhe që s`janë tjetër, veçse shpirti i tij i pastër dhe i bukur, tek i cili Tomas Mani shihte rivendosjen e paqes në mes natyrës sonë tokësore dhe asaj shpirtërore.

Ne, shokëve, miqve, të afërmve dhe familjarëve të tij, s`na mbetet tjetër veçse të urojmë që të kenë të drejtë shumica e filozofëve të botës që pohonin se shpirti është i pavdekshëm.

I pavdekshëm qoftë dhe kujtimi për njeriun dhe artistin e mirë Agron Xhunga!

 

*Fjala e mbajtur në homazhet në hollin e pallatit e kulturës “Aleksandër Moisiu”