25 prill 2015 – Policia e Shtetit shumë shpejt do të pajiset me uniformë të re, e cila do të vendoset përmes një konkursi ndërkombëtar.

“Sot hapim konkursin ndërkombëtar për uniformën e re te Policisë së Shtetit, pasi duam që Policia të jetë sipas kërkesave të qytetarit”, bëri me dije ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.

Gjatë ekspozitës “Policia ndër vite”, ku njoftoi çeljen e konkursit, ministri Tahiri cili kishte marrë me vete edhe djalin e tij të vogël, theksoi se krijimi i një marrëdhënieje miqësore mes policisë dhe qytetarëve është bazë për rritjen e sigurisë në vend.

“Synojmë ta bëjmë Shqipërinë një vend më të mirë seç ishte dje, një vend më të sigurt. Për këtë duhet të zhbëjmë hendekun mes komunitetit, qytetarit dhe Policisë së Shtetit. Në të gjithë botën është e pranuar se qyteti nuk mund të jetë i sigurt nëse qytetarët e policia nuk bashkëpunojnë.

Duhet punë kolosale që qytetarëve t’u kthehet besimi te policia, nuk duhet më policia e frikës. Jemi në rrugën e duhur për ta bërë Shqipërinë më të sigurt jo vetëm, por ta bëjmë bashkë me qytetarët më të rinj, shqiptarët e gjeneratës së re që zbatojnë rregullat bashkë me gjeneratën e re të policisë”, u shpreh ministri i Brendshëm.

/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/