Nga Aleksandër Cangonja
Nëse do vizitojmë Tiranën, Kavajën, Elbasanin etj do vërejmë diçka të përbashkët midis tyre, që në sheshet qëndrore të këtyre qyteteve do të shohim kulla të ndërtuara në periudhën Osmane të cilët shërbenin si kulla sahati, të gjitha këto janë të ndërtuara në shekullin XIX.
Por një gjë të tillë nuk e shohim në Durrës, pse ? Sipas dokumentave dhe fotove që gjenden në arkivin të shtetit, mbas tërmetit të dhjetori të vitit 1926 i cili në Durrës shkaktoi shumë dëme, në ndihmë të autoriteteve shtetërore Shqiptare ofrohet dhe shteti Italian i cili sjell në Durrës specialistë të cilët asistojnë në shembjen e objekteve të dëmtuara dhe në kuadër të këtij operacioni nga fotot do të shikojmë që punonjësit e kryqit të kuq sëbashku me ushtrinë po demolojnë disa objekte ku midis tyre dhe kullën e sahatit të Durrësit.
Fatmirsisht këtë gjë e tregojnë fotot e bëra nga mjeshtri Ymer Bali i cili e ka fiksuar këtë moment. Edhe pse ekzistencën e saj e dallojmë nëpërmjet fotove të shumta të atyre viteve, të cilat tregojnë se kulla aty ka qenë. Në plan të parë kur shihet në foto, ajo ngjan si një kullë me këmbanën e ndonjë Kishe, gjë që diskutohet shpesh në rrjetet sociale po kujt Kishe ? Pyetja ngel pa përgjigje ! Duke qenë se për të është folur pak në disa nga autorët e qytetit, në kërkimet mia në arkivin e shtetit por edhe më gjërë, arrita të gjejë disa fakte për ta vërtetuar që Durrësi ka pasur një kullë të sahatit me anë të dokumentave. Fakti !Durrësi në fundin e shekullit të XIX bëhet Sanxhak (prefekturë) e vilajetit të Shkodrës, dhe si Sanxhak kishte në varësi Kaza (Bashki) të tjera si Tirana, Shijaku, Kavaja dhe Kruja.
Normalisht si kryeqendër e prefekturës që ishte, Durrësit nuk kishte si ti mungonte dhe asaj një kullë sahati. Aktualisht sot nuk kemi gjurmë të saj dhe shumë pak veta në Durrës e dinë se ajo ka qenë e vendosur në krah të bashkisë ku ndodhet sot busti i Hafiz Ali Podgoricës sipër murit turk i cili vazhdon të jetë aty. Ekzistencën e një kulle sahati në Durrës e vërtetojmë nga dokumentat që gjenden në arkivin Osman të Stambollit.
Nëpërmjet Osmanologut Ermal Nurja arrita të siguroj një dokument të përkthyer ku thuhet : “Drejtuar Inspektoriatit të përgjithshëm të Lartë të vilajeteve të Rumelisë Naltësisë së tij të veshun me pushtet !(Pas elozheve të rastit) Ju parashtroj me gëzim pa masë se dhoma e karantinës, kulla e sahatit dhe postoblloku i skelës së qytetit të Durrësit janë ndërtuar nga themelet (pra janë ndërtime të reja jo të mëparshme) dhe inagurimi i tyre do të realizohet në ditën e lumtur që kemi përpara (përvjetori i radhës i fronëzimit të sulltan Abdulhamitit të II që është 19 gushti).
Urdhri dhe fermani i takojnë vetëm të zotit të cështjes. Data aktit 27 korrik 1907 Mytesarifi i Durrësit Kazim (vula)”(1)Pra nga ky dokument i datës 27 korrik 1907 ku Mytesarifi i Durrësi i drejtohet inspektoriatit të përgjithshëm të lartë të vilajeteve të Rumelisë, dhe i informon se dhoma e karantinës, postoblloku i portit dhe kulla e sahatit janë objekte të reja të ndërtuara nga fillimi dhe si datë për inagurimin e tyre do vendosej 19 gushti ditë kjo që përkon me rastin e fronëzimit të sulltan Abdulhamitit të II Nga ky dokument vërtetojmë se kulla ka qenë ndërtim relativisht i ri (me një orëmatës me tinguj), pra e fillim shekullit XX dhe jo njëlloj si kullat e Tiranës, Kavajës, Elbasanit etj që janë ndërtime të viteve 1800 (por fakti që kulla po ndërtohet nga e para nuk e përjashton ekskluzivisht idenë se më përpara edhe mund të ketë pasur kullë tjetër, thjesht ky dokument tregon se hera e fundit që është bërë një kullë sahati në Durrës ka qene ky vit, pra 1907).
Po pse nuk u rindërtua përsëri në të njëjtin vend kulla e sahatit ? Për këtë gjë mund të ketë disa hipoteza, një prej të cilave dhe më bindësja është se mbas tërmetit të vitit 1926, ndërtimtaria e objekteve civile dhe shtetërore filloi me hov të madh, krahas shtëpiave dhe objekteve tregtare në Durrës filloi ndërtimi i objektit të bashkisë.
Godina do pozicionohej në fillim të sheshit “Liria” ku sipas projektit ajo do ishte 3 kat + 1 kat podrum, dhe mbi godinë në cepin e krahut të majtë do ndërtohej sahati e cila do kishte një mekanizëm të prodhuar në Gjermani nga kompania “Eduard Korfhage dhe bijë” dhe dy këmbana (2).
Kjo mendoj se ishte një arsye domethënëse për të mos u rindërtuar më në pozicionin e mëparshëm, por të integrohej në godinën e bashkisë.
Aleksandër Cangonja, Durrës, 24 Korrik 2021.