Nga Dr. Bledar Kurti
Shqipëria sot gjendet në greminë. Tetë vite keq-qeverisje e kanë sjellë vendin në gjendjen më të mjerueshme dhe më të rrezikuar në 30 vitet e fundit. Si arritëm deri këtu? Prej “Rilindjes.” Ja bilanci i keq-qeverisjes së saj bazuar mbi fakte dhe argumenta duke filluar nga rendi demokratik, djegia e mandateve, reforma në drejtësi e deri tek shifrat e shpërdorimit dhe mega-skandaleve të kësaj qeverie:
- Shkatërrimi i rendit demokratik dhe sundimi i një pushteti monist.
“Rilindja” kontrollon në qeverisjen qendore dhe vendore 90% të pushtetit, këtu hyn ekzekutivi, legjislativi, bashkitë, këshillat bashkiakë, etj. Në vitin 1991 Partia e Punës kontrollonte 82% ndërsa sot pushteti një-partiak është edhe më i lartë. Turp për një vend anëtar të NATO-s.
E jo vetëm kaq por në bashkëpunim të plotë me krimin e organizuar dhe individë me precedentë penal, si rasti i deputetëve të larguar ashtu edhe së fundmi me Bashkinë e Shkodrës ku Valdrin Pjetri rezultoi me precedent penal, në Bashkinë e Vorës, Agim Kajmaku, me precedent penal, në Vaun e Dejës, Mark Babani, me precedent penal, në Mallakastër, Qerim Ismailaj, me precedent penal, në Bulqizë, Lefter Alla, i denoncuar nga media duke përdorur kokainë, Bashkia Durrës, së pari me Valbona Sakon e ulur në detyrë nga dy vendime kontradiktore të gjykatës së Durrësit, e pasi dha dorëheqjen në Nëntor 2019 tashmë Bashkia Durrës po drejtohet nga njëri pasues anonim i urdhëruar në tjetrin.
- Shkelja e ligjeve nga mazhoranca në lënien e mandateve nga opozita.
Vendimi i lënies së mandateve ishte vendim politik i opozitës dhe vëmendja e opinionit publik është fokusuar gjithmonë mbi këtë akt, por le të shohim shkeljet ligjore dhe nxitimin e mazhorancës në atë proces.
Jo vetëm që prej mëse dy vitesh Kuvendi ka operuar në mënyrë anti-kushtetuese pasi Neni 64 i Kushtetutës totë: “Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë,” dhe jo 122 me të cilët ka miratuar ligje sipas qejfit e në dëm të shqiptarëve por mazhoranca shkeli edhe nenin 71/2 “b”, 75/2 të Kushtetutës, nenit 164/1 të Kodit Zgjedhor, si dhe Rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë.
Sikur vetëm një deputet të japë dorëheqjen nga mandati i tij, sipas nenit 164 të Kodit Zgjedhor duhet që Kuvendi ta thërrasë deputetin e dorëhequr dhe ta dëgjojë atë në një seancë publike në Këshillin për Rregulloren dhe Mandatet dhe për njoftimin e KQZ për zëvendësimin e mandatit duhet të vendosë vetëm Kuvendi në seance plenare. Kuvendi kishte në dispozicion 30 ditë kohë për ta kryer këtë proces, për çdo deputet, por ai nuk priti, nxitoi dhe kërkoi brenda ditës në KQZ zëvendësimin e deputetëve, vetëm përmes një shkrese të një funksionari adminsitrativ.
Asnjë komision në Kuvendin e Shqipërisë, nuk u mblodh për këtë çështje kaq serioze, e cila solli më pas këtë krizë kaq të rëndë politike dhe përfaqësimi.
Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit dhe anëtarët e partisë socialiste në KQZ, kryen zëvendësimin urgjent të deputetëve në kundërshtim me kërkesat e nenit 71/2 “b”, 75/2 të Kushtetutës, nenit 164/1 të Kodit Zgjedhor, si dhe Rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë.
Demokracia dhe legjilativi në vend morri goditjen finale.
- Reforma në Drejtësi (Made in PS)
Tre qëllimet kryesore të Reformës në Drejtësi ishin: 1) Pavarësia e sistemit të Drejtësisë; 2) Drejtësi e pa kapur nga politika; 3) Çlirimi nga korrupsioni dhe paaftësia. Të treja këto qëllime dështuan.
Ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë u krye me disa vite vonesë dhe me efekte shumë të rënda për rendin kushtetues të vendit, solli dëme financiare dhe kaos e konflikte të shumta ndërinstitucionale.
Të 9-të shtyllat e Reformës në Drejtësi dështuan, u vonuan dhe i shkaktuan vendit dëm kolosal:
- Dhjetor 2017 u votua Arta Marku, Prokurori i Përkohshëm i Përgjithshëm: vetëm nga një parti (PS) me 69 vota nga 84 të përcaktuara në Kushtetutë.
- Në kundërshtim me Nenin 179/13 të Kushtetutës.
- Termi dhe detyra e Prokurore e Përkoshme e Përgjithshme nuk rezulton aspak në Kushtetutë.
- Për 2 vite zgjedhja anti-kushtetuese e PPP Arta Marku krijoi krizën më të madhe institucionale dhe politike në 30 vitet e fundit.
- Kjo mundësoi kapjen e institucioneve hetimore nga PS
- Pengoi hetimin e dosjeve 185 dhe 339 që përfshinin krimet zgjedhore dhe përfshirjen e qeverisë dhe bashkive me krimin e organizuar.
- Tre vite pa Gjykatë Kushtetuese por plot me shkelje kushtetuese.
Në mënyrë të qëllimtë Gjykata Kushtetuese u mbajt jo-funksionale prej 3 vitesh.
Asnjë vend në Europë dhe NATO pa Gjykatë Kushtetuese. Kjo eliminoi sistemin e llogaridhënien së qeverisë. Në mungesë të saj Qeveria ka miratuar me dhjetra e dhjetra ligje anti-kushtetuese dhe korruptive me dëme të mëdha financiare për vendin dhe në dëm të të drejtave themeltare të qytetarëve shqiptarë.
Eliminoi sigurinë e rendit kushtetues në Shqipëri. Çështjet më të rëndësishme për vendin nuk mund të shqyrtoheshin, si për shembull: legjitimiteti i zgjedhjeve vendore të 30 qershorit, projekte të dyshimta qindra miliona eurosh të PPP-ve, projekti për teatrin, etj duke lënë qeverinë të lirë të vepronte sipas interesave të saj dhe jo shqiptarëve.
3 vite pa Gjykatë Kushtetuese ishin baraz me 3 vite Shqipëri pa Kushtetutë.
- Gjykata e Lartë dhe dëmi kolosal ekonomik.
Edhe Gjyata e Lartë jo funksionale prej 3 vitesh. 40,000 dosje të qytetarëve të thjeshtë vazhdojnë të pashqyrtuara – të cilat tashmë kërkojnë 30 vite. Kjo përbën shkelje të të drejtave të njeriut për një proces të drejtë gjyqësor.
Mungesa e Gjykatës së Lartë është edhe më kritike për stabilitetin e Shqipërisë sesa mungesa e Gjykatës Kushtetuese.
Çështjeve nga gjykatat e shkallëve më të ulëta nuk mund t’u jepen vendime dhe Shqipëria shkel sistematikisht të drejtën për një gjykim të drejtë brenda një afati të arsyeshëm, duke prodhuar raste të shumta që do të përfundojnë para Gjykatës Evropiane të Drejtave të Njeriut në Strasbourg. Si rrjedhojë kosto jashtëzakonisht e madhe financiare për vendin.
- Vetting-u për gjilpërat në kashtë dhe jo për trarët në sytë e të gjithëve.
Shumica e anëtarëve të organeve të vetting-ut janë të lidhur ngushtë me PS.
Procesi i vetting-ut u përdor gjerësisht si shantazh ndaj gjyqtarëve e prokurorëve, por edhe kundër anëtarëve të institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë, të cilët ende nuk i janë nënshtruar këtij procesi.
Vetting-u u përdor publikisht nga KM dhe Kryetari i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja si shantazh për gjyqtarët, prokurorët, anëtarët e KED dhe institucioneve të reja.
Zgjati një kohë të gjatë në secilin rast individual. Për një person të vetëm duheshin të shqyrtoheshin dosje prej më shumë se 10.000 faqeve. Disa persona nuk e kaluan vetting-un sepse bashkëshorti/bashkëshortja e tyre nuk mund të shpjegonte disa të ardhura të fituara shumë kohë para se të martoheshin ndërsa të tjerë e kaluan vetting-un edhe pse kishin harruar të deklaronin 80 mijë euro sic ishte rasti i Adrian Dvoranit.
Shkaktoi kaos në sistemin e drejtësisë pasi pati zbatim tepër të ngurtë të afateve procedurale edhe kur ishte e pamundur në kohë për të siguruar dokumentacionin.
Vetting-u pati efekt më të zgjeruar se sa ishte parashikuar dhe dëmtoi e vonoi ngritjen e institucioneve të drejtësisë.
- Mega-vjedhjet dhe Skandalet Miliarda Eurosh të Rilindjes
Përmes koncensioneve dhe PPP-ve qeveria e “Rilindjes” ka shkaktuar mega-vjedhje ndaj vendit dhe buxhetit të shtetit. Qeveria është angazhuar në projekte të Partneritetit Publik-Privat (PPP), për periudhën 2015-2032, për të cilat do të duhet të paguajë në total gati 2 miliardë euro, që do të vijnë nga paratë e mbledhura nga taksapaguesit shqiptarë.
Vetëm për pesë koncesione: Ineceneratori i Tiranës, Sterilizimi, Laboratorët, rruga Milot-Balldre dhe Check up, buxheti do të duhet të paguajë rreth 240 milionë euro shtesë për punë të paparashikuara, apo shërbime të pakryera, duke e rritur në total vlerën e këtyre kontratave me 30%, nga rreth 790 milionë euro në 1 miliard euro.
Gjatë pandemisë të gjithë shqiptarët kuptuan se koncensionet qindra-miliona eurosh janë investime tërësisht në kundërshtim me nevojat themeltare që ka vendi e për më të tepër do e bëjnë edhe më të rëndë realitetin ekonomik gjatë dhe post-pandemi.
Për më tepër, qeveria shqiptare ishte e vetmja në botë, e cila financat e shtetit nuk i përshtati në funksion të luftës kundër koronavirusit. Por edhe në kohë pandemie qeveria vazhdoi të derdhë miliona euro për inceneratorë që nuk janë vënë ende në punë, për beton e pllaka sheshesh, në drejtim të disa kompanive të përzgjedhura e të privilegjuara.
Pushteti qendror, ai lokal dhe administrata në përgjithësi vazhduan që të tenderojnë, duke blerë e shpenzuar njësoj si në kohë normale.
Ja së fundmi Bashkitë e “Rilindjes” shpenzojnë 137 miliardë lekë beton dhe asfalt 2 muaj para zgjedhjeve.
Marrim rastin e Durrësit. Shembulli me abuzimin më të madh pasi ky qytet u godit nga tërmeti dhe pandemia. Në kushtet që duheshin investuar para për banesat dhe luftën kundër pandemisë ja ku investon bashkia:
- 800 milionë lekë për lule dekorative
- 2.8 milionë euro për “Lungo Mare”
- 1.8 milionë euro për shesh-rrotullim tek “Pranvera.”
- 300 milionë lekë për rikonstruksionin e godinës së bashkisë Durrës.
- 55 milionë lekë për sallën e Këshillit Bashkiak për sistemin e konferencave teksa me mijëra familje janë pa strehim.
- 720 milionë lekë për rikonstruksionet e godinave të institucioneve të pushtetit vendor në bashkinë Durrës teksa as edhe një pallat nuk është ndërtuar për familjet me banesa të dëmtuara.
- Pandemia dhe Rindërtimi – dy fatkeqësi që si të tretë kanë vetë qeverinë.
Sot, Shqipëria rendit si shteti i fundit në botë për nga numri i të vaksinuarve për Covid-19, me numrin më të vogël të testeve, me numrin më të vogël të mjekëve për banorë, dhe me buxhetin më të vogël për sistemin shëndetësor. Kjo është papërgjegjshmëri totale dhe dështim fatal i qeverisë. Ndaj nuk ka as edhe një shqiptar të vetëm që mban shpresë tek kjo qeveri.
Jo vetëm që nuk ka patur një strategji menaxhimi por vazhdon me fjalë dhe premtime boshe për aeroporte, porte, projekte 3D të vitit 2030 ndërkohë që shqiptarët po vdesin sot.
E njëjta papërgjegjshmëri edhe me rindërtimin.
Marrim sërish Durrësin:
- 8 mijë banorë vazhdojnë të jetojnë në çadra dhe kontenjerë.
- Nga 1036 banesa individuale të dëmtuara kanë perfunduar vetëm 15.
- Nga 30 pallate të shëmbura janë ndërtuar ZERO, pas afro një viti e gjysmë kanë filluar vetëm 2.
- Nga 31 shkolla kanë filluar vetëm 10.
- 900 familje me banesa DS4 as nuk kanë marrë informacionin më minimal se çfarë do bëhet me ato.
- Zero punë për lagjen e re të premtuar në Spitallë.
- Madje është dhënë urdhër që të gjitha objektet që nuk përfundojnë dot përpara datës së zgjedhjeve të lihen në harresë pasi nuk vlejnë për vota.
Lista e problemeve me rindërtimin është e gjatë, si akt-konstatime kontradiktore, tenderime abusive, plane të errëta për prishje shkollash të padëmtuara me qëllimin për t’u ndërtuar qendra tregtare etj, sic ështra rasti i shkollës “Naim Frashëri,” etj.
- Arbitrazhet – 450 milionë euro barrë vetëm prej papërgjegjshmërisë së “Rilindjes.”
Arbitrazhet që ka shkaktuar “Rilindja” mund të dëmtojnë rëndë taksapaguesit shqiptarë me një dëmshpërblim potencial prej 450 milionë euro. Ja cilat janë ato:
- Becchetti 108 mln euro.
- Aktor” dhe “Copri” 45 milionë euro.
- “Dondi & Kubota” 90 milionë euro.
- Parku i Akërnisë në letër, Arka Energy B.V. 110 milionë euro.
- Përplasja me “Durrës Kurum Shipping” 100 milionë euro.
- Valeria Italia SRL 0.5 milionë euro.
Në total 450 milionë euro. Që do të paguhen nga shqiptarët.
- Skandali anti-kushtetues me dividentin.
Kjo mazhorancë, në gjithë veprimtarinë e saj, për të shmagur llogaridhënien përpara organeve të drejtësisë, ka përdorur Kuvendin disa herë për të kryer vjedhjet me të mëdha jo më me tendra, por drejtëpërdrejtë me ligj. Ky mekanizëm është forma më rrezikshme e realizimit të krimit shtetëror. Vjedhja përmes ligjeve speciale sjell pasojat më të rënda për shqiptarët e ndershëm dhe ka favorizuar gjithë këto vite një grusht oligarkësh që po pasurohen në kurriz të popullit shqiptar.
Ligji për divendentin, është rasti më flagrant, se si kjo mazhorancë, shkeli hapur Kushtetutën për të favorizuar Oligarkët.
Kushtetuta në nenin 155 urdhëron se: “Taksat, tatimet dhe detyrimet financiare kombëtare e vendore, lehtësimi ose përjashtimi prej tyre i kategorive të caktuara të paguesve, si dhe mënyra e mbledhjes së tyre caktohen me ligj. Në këto raste ligjit nuk mund t’i jepet fuqi prapavepruese”.
Asnjë tatim dhe lehtësim fiskal, thotë Kushtetuta, nuk mund të ketë efekt prapaveprues në kohë, por vetëm për të ardhmen.
Por çfarë bëri Rilindja në krye të grushtit të shtetit? Në dhjetor 2018, Kuvendi miratoi një ligj (nr. 94/2018) për ndryshimin e ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, duke futur fshehurazi një nen sipas të cilit:
“Norma e tatimit mbi dividendin në shkallën 8 % do të aplikohet edhe për fitimet e pashpërndara të realizuara në vitet 2018 e më parë, përfshirë rezervat dhe fitimet e kapitalizuara, me kusht që tatimi mbi dividendin, që i përket fitimeve të pashpërndara të viteve 2017 e më parë, të paguhet brenda datës 30 shtator 2019, ndërsa tatimi mbi dividendin për fitimin e vitit 2018 të paguhet brenda datës 20 gusht 2019.”.
Kuvendi vendosi kështu që të gjithë oligarkët pranë “Rilindjes”, për të gjitha fitimet që ata kishin realizuar nga viti 2018 e deri në vitin 1991 (pa asnjë kufizim kohor) të paguanin jo më një tatim prej 15 %, siç kishin paguar të gjithë qytetarët e ndershëm ndër këto vite, por ata do të lehtësoheshin për të paguar vetëm 8 %.
Pra ky ligj u bë me efekt prapaveprues, në kundërshtim me Kushtetutën, vetëm për Oligarkët të cilët vetë qeveria i kishte njoftuar më parë që të mos paguanin asnjë tatim për fitimet e tyre, deri sa Rilindja të miratonte këtë ligj antikushtetues që i favorizonte ata.
Ky krim i rëndë kushtetues i bërë përmes ligjit, i padëgjuar në asnjë vend të kontinentit shkeli barazinë e qytetarëve para ligjit, shkeli nenin 155 të Kushtetutës, duke majmur më të pasurit dhe duke varfëruar akoma më shumë qytetarët e thjeshtë.
Edhe dekretin e Presidentit që e ktheu këtë ligj antikushtetues, kjo mazhorancë e shqyrtoi brenda të njëjtës ditë, natën, në terr të plotë, pa prezencën e Institucionit të Presidentit pa prezencën e opozitës e cila në atë kohë ishte në Parlament.
- Indikatorët e Korrupsionit të qeverisjes së “Rilindjes.”
Të gjithë indikatorët tregojnë për një nivel shumë të lartë të korrupsionit të kësaj qeverie.
Indekse dhe raporte të organizmave dhe institucioneve më prestigjioze të botës tregojnë të vërtetën e hidhur të një qeverie korruptive e cila përkeqësohet vit pas viti në paligjshmërinë e saj.
- Transparency International – Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit 2019 – Shqipëria zë vendin 106 nga 180 – rezultat 35/100 pikë.
- Raporti i Departamentit Amerikan të shtetit për Shqipërinë për vitin 2019 konstaton se:
- Korrupsioni është i përhapur në të gjitha degët e qeverisjes.
- Zyrtarët në Shqipëri merren me praktika korruptive me pandëshkueshmëri.
- Ndjekja penale e krimeve të nivelit më të lartë mbetet e rrallë për shkak të frikës së hetuesve nga ndëshkimi.
- Mosndëshkimi mbetet një problem serioz. Zyrtarët, politikanët, gjykatësit dhe personat me interes të fuqishëm biznesi shpesh ishin në gjendje të shmangnin ndjekjen penale.
- Korrupsioni në polici mbetet problem.
- Sipas Indeksit të Lirisë së Njeriut të Institutit Cato: Shqipëria shënoi një vlerësim të dobët prej 5.1 nga 10 pikësh, ku 10 ishte “të qenit më i lirë” në Sistemin Ligjor dhe të Drejtat e Pronës dhe 5.3 nga 10 në Sundimin e Ligjit. Nuk është për t’u habitur që Shqipëria shënoi një vlerësim të turpshëm prej 2.5 nga 10 për Pavarësinë e Gjyqësorit.
- Sipas Indeksit Botëror të Drejtësisë dhe të Projektit të Sundimit të Ligjit 2019, Shqipëria renditet në vendin e 103-të nga 126 për korrupsionin.
- Që nga viti 2019, raporti i Institutit Fraser mbi Lirinë Ekonomike në Botë 2019, thotë se performanca më e dobët e Shqipërisë ishte në kategorinë e Sistemit Ligjor dhe të Drejtave të Pronës, me një rezultat prej 5.09 nga 10, dhe renditet në vendin e 83-të nga 162 vende.
- Treguesin e Qeverisjes Botërore të Bankës Botërore, i cili shënon Shqipërinë në vendin e 39-të nga 100 për Sundimin e Ligjit. Ky rezultat është më i ulët se rezultati i Evropës dhe Azisë Qendrore për Sundimin e Ligjit e 63 pikëve nga 100.
Raste të korrupsionit në Shqipëri pasqyrohen tek Treguesit e Qeverisjes në të Gjithë Botën e Bankës Botërore. Në të gjashtë dimensionet e qeverisjes, renditja e Shqipërisë është relativisht e ulët. Ato që dallohen më shumë janë këto:
- Kontrolli i korrupsionit: Shqipëria është e 136ta nga 209 vende
- Sundimi i ligjit: Shqipëria është 127ta nga 209 vende
- Efektiviteti i qeverisë: Shqipëria është 138 nga 209 vende.
- Korrupsioni si penegesë për ekonominë dhe investimet.
Sipas raportit “Doing Business 2020” të Bankës Botërore Shqipëria renditet e 82-ta, Maqedonia e 17-ta dhe Kosova e 57-ta. Kjo e bën vendin tonë të fundit në Rajon e në Kontinent për klimën e biznesit.
Ndaj edhe kompanitë serioze perëndimore nuk investojnë në Shqipëri. Vendi me një potencial të jashtëzakonshëm privohet nga një ekonomi e zhvilluar dhe investime të huaja vetëm për shkak të korrupsionit qeveritar.
- Shqipëria në listën e vendeve gri për pastrimin e parave
Shqipëria tashmë është përfshirë në listën e vendeve nën monitorim të shtuar, ose siç njihet ndryshe në “listën gri” nga Task Forca e Veprimit Financiar, një organizatë ndërqeveritare e themeluar me iniciativën e G7 për të zhvilluar politika për të luftuar pastrimin e parave, financimin e terrorizmit dhe financimin e përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë.
Përfshirja në këtë listë do të thotë që vendi konsiderohet me rrezik të lartë, dhe kjo ka pasoja negative për ekonominë dhe imazhin e një shteti.
Sipas konkluzioneve të raportit:
“korrupsioni paraqet rreziqe të mëdha të pastrimit të parave në Shqipëri. I lidhur shpesh me aktivitetet e krimit të organizuar, ai gjeneron sasi të konsiderueshme të të ardhurave kriminale dhe seriozisht dëmton funksionimin efektiv të sistemit të drejtësisë penale. Autoritetet janë të vetëdijshëm për rreziqet nga korrupsioni, por zbatimi i ligjit deri më tani ka pasur një vëmendje të kufizuar për të shënjestruar korrupsionin e lidhura me pastrimin e parave. Një reformë e rëndësishme gjyqësore është duke u zbatuar për të adresuar më mirë rrezikun e korrupsionit që mbizotëron në vend”
- Shqipëria trafikuesja më e madhe e kanabisit në BE
“Shqipëria – Kolumbia e Evropës” lexon në titujt e medias botërore. Kjo për shkak të “Rilindjes.
Raporti “Tregu i drogave 2019”, një publikim, që bëhet një herë në tre vjet nga Qendra Europiane e Monitorimit të Drogave (EMCDDA) e përmend Shqipërinë si prodhuesen më të madhe të kanabisit të trafikuar në Bashkimin Europian, paratë e të cilës transportohen cash me makina drejt Shqipërisë dhe investohen në pasuri të paluajtshme, ndërtim dhe turizëm.
Sipas raportit, “Shqipëria është prodhuesi më i madh i kanabisit bimor të trafikuar në BE. Gjatë vitit 2017 dhe 2018, trafikimi në shkallë të gjerë i kanabisit bimor nga Shqipëria në BE vazhdoi. Konfiskimet italiane të kanabisit bimor u rritën nga afro 42 ton në vitin 2016 në më shumë se 90 ton në 2017, duke reflektuar intensifikimin e aktivitetit të trafikimit në të gjithë Detin Adriatik.
Kreu i Antimafias Italiane, Federico Calfiero De Raho, u shpreh para pak kohësh se “Shqipëria është vendi kryesor për menaxhimin e trafikimit të drogës.”
- Shpopullimi i vendit me shifra alarmante – Kryeministri: “Ky nuk është fundi i botës.”
600 mijë shqiptarë janë larguar që nga viti 2013. 60% prej tyre të rinj. Largimi i rinisë është fenomeni më tragjik të cilin Kryeministri e komentoi së fundmi me shprehjen “Ky nuk është fundi i botës.” Në fakt kjo është tragjedi kombëtare.
Largimi i të rinjve nga vendi kap shifra deri në 79% sipas Gallup, duke e vendosur Shqipërinë në krye të listës së vendeve nga ku largohen të rinjtë.
Zëmë vendin e 6-të në botë për emigracion. Shqipëria është e para në botë për numrin e azilkërkuesve në vendet e BE-së. Lemë pas vende në konflikte lufte si Siria, Afganistani dhe Iraku. Stoku i lejeve të qëndrimit në Gjermani në vitin 2019 arriti në 42 mijë e 600 mijë persona nga rreth 24 mijë leje që ishin në vitin 2017. Në vitin 2011 në Gjermani ishin dhënë vetëm 8152 leje qëndrimi për shqiptarët. Lejet në rritje u nxiten nga trendi i ri i azilit për arsye ekonomike pas vitit 2015. Në vitin 2016 rreth 67 mijë shqiptare u regjistruan si azilkërkues në BE shumica e të cilëve ishin në Gjermani.
Po largohet truri i vendit dhe shtresa e mesme. 2/3 e prindërve që duan të çojnë për studime maturantët jashtë janë profesionistë (mjekë, inxhinierë, juristë etj.), nëpunës të administratës shtetërore, biznesmenë, menaxherë, drejtorë ose partnerë biznesi. 79% e studentëve në Shqipëri të zhgënjyer dhe duan të largohen. Vendi po përjeton largim të trurit “Brain-Drain”, pasojat negative të të cilit do të jenë të mëdha. Shifrat tregojnë se nga Shqipëria synojnë të emigrojnë më shumë të rinjtë dhe më të arsimuarit.
91% e studentëve të mjekësisë dhe 84% të TIK duan të largohen.
– studentët e mjekësisë (91.5%)
– infermierisë (83%),
– të informatikës (84.4%),
– të inxhinierisë (79.2%) dhe arkitekturës
Ka largim të trurit por edhe kosto marramendëse. Kosto e studimeve jashtë vendit 140 milionë euro në vit. Para që duhet të investoheshin në Shqipëri. E gjithë kjo situatë është alarmante.
Papunësia tek të rinjtë ka shkaktuar edhe shumë probleme sociale dhe kriminale. Shqipëria renditet ndër vendet e para në Europë për vrasjet e vajzave dhe grave, ku situata e dhunës me bazë gjinore është më alarmante.
Kushtet social-ekonomike në të cilat jetojnë të rinjtë në Shqipëri, kanë sjellë rritje të kriminalitetit rinor. Të dhënat e viteve të fundit tregojnë se 38% e dënimeve penale të formës së prerë janë dhënë ndaj të rinjve, situatë kjo që kërkon ndërhyrje të menjëhershme.
Varfëria dhe papunësia tek të rinjtë shërbejnë si një terren që gjeneron ndër të tjera edhe ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizimin.
Raporti i Komisionit Europian i vitit 2018 thekson se nga 144 shtetas shqiptarë që shkuan në Siri dhe Irak për luftuar në konfliktet e armatosura. 73 vetë (përfshirë 18 luftëtarë dhe 55 anëtarë të familjeve), ishin fëmijë, të rinj e të reja që gjenden ende në zonat e luftës.
- Qeverisja e “Rilindjes” ka shkaktuar faliment në sistemin arsimor dhe universitar.
Për shkak të largimit masiv numri i nxënësve në ciklin 9-vjeçar dhe të mesëm të arsimit po bie me shpejtësi prej emigrimit. Për rrjedhojë, numri i maturantëve shqiptarë në shkollat e mesme të përgjithshme dhe profesionale të vendit, arriti në 34 mijë nxënës në vitin 2019 nga 39.629 më 2015, ose 14.1% më pak.
Po zbrazen shkollat dhe po mbyllen degët e studimit.
Gjatë viteve të fundit janë mbyllur me dhjetëra degë studimore dhe ka rënë ndjeshëm numri i studentëve.
Viti akademik 2019-2020 (duke mos iu referuar 2020-2021 për shkak të rrethanave me pandeminë) nisi me një bilanc tejet të trishtë për sistemin universitar në Shqipëri.
Në të gjitha universitetet e vendit u mbyllën me dhjetëra degë studimi dhe ra ndjeshëm numri i studentëve. Rënie drastike të numrit të studentëve ka në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan. Në këtë universitet janë mbyllur 11 degë, ndërsa disa të tjera janë hapur me një numër minimal studentësh.
Një numër më i vogël studentësh u regjistruan edhe në universitetet e Durrësit, Gjirokastrës dhe Tiranës.
Në Universitetin e Vlorës ranë drastikisht numri i regjistrimeve dhe u mbyllën 3 degë.
Në universitetin e Gjirokastrës u regjistruan vetëm 500 studentë duke shënuar kështu një rënie të regjistrimeve të studentëve.
Në Matematikë fizikë, teknologji informacioni dhe gjuhë e huaj italiane, nuk ka të regjistruar asnjë student.
Shumë pak prurje në degët e mësuesisë për shkak të mesatares të vendosur nga ministria e Arsimit. Degët më të preferuara janë: ekonomiku dhe infermieria, kjo për shkak të tregut të punës jashtë Shqipërisë.
Studentët braktisën edhe universitetin e Shkodrës, zero regjistrime tek Fizika, drejt mbylljes dhe degët e mësuesisë.
Largimi i rinisë, emigracioni në shifra të larta po shkaktojnë zbrazjen e auditorëve të universiteteve dhe vendit. Kjo është një situatë e paprecedentë për vendin tonë. Nëse vazhdohet me këto ritme dhe me politikat aktuale të arsimit, punësimit dhe zhvillimit nga ana e qeverisë universitetet shqiptare do përfundojnë bosh dhe sistemi universitar shqiptar do pësojë kolaps total.
Buxheti për arsimin mbetet ende i vogël e duhet të arrijë në shifrën prej 5% të PBB.
- Liria e shprehjes
Qeveria e “Rilindjes” është qeveria më armike e lirisë së shprehjes dhe më ofenduesja e medias duke e quajtur atë vazhdimisht e vazhdimisht si “kazan” duke sulmuar gazetarë apo duke injektuar frikën e censurës dhe ndëshkimit.
Në indeksin e vitit 2019 të hartuar nga organizata ndërkombëtare Reporters Without Borders (Reporterët pa Kufij), Shqipëria renditet në vendin e 82 nga 180 vende të vëzhguara.
Kjo është hera e parë që nga viti 2013 që Shqipëria pëson rënie në indeksin e lirisë së shtypit.
Në indeksin e viteve të fundit, Shqipëria gjendet pranë vendeve si Panamaja, Kirgistani, Peruja dhe El Salvador.
Organizata Reporterët pa Kufij në raportin e publikuar për situatën e medias në Shqipëri kritikoi kërcënimet e qeverisë dhe krimit ndaj gazetarëve, si edhe iniciativat ligjore që synojnë kontroll shtetëror mbi median:
Hartimi i paketës Anti-Shpifje alarmoi jo vetëm Këshillin e Evropës, por edhe të githa organizatat vendase e ndërkombëtare të medias dhe të drejtave të njeriut, dhe dëshmoi për natyrën autoritariste të kësaj qeverie.
- Integrimi evropian
Që nga marrja e statusit si vend kandidat për anëtarësimin në BE, në pranverën e vitit 2014, Shqipëria ka bërë gjithnjë e më shumë hapa pas në procesin e integrimit të vendit.
Nga 5 kushtet e përcaktuara nga Kriteret e Kopenhagës, në vitin 2020 Shqipërisë iu tre-fishuan kushtet e pranimit.
Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian i dha me 24 mars 2020 15 kushte Shqipërisë.
Dikur përpara Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut në procesin e integrimit, sot Shqipëria është shumë hapa pas tyre.
Gjatë vitit 2019 vende si Hollanda konsideruan edhe mundëdinë e rikthimit të regjimit të vizave. Holanda, vendi më pioner për heqjen e regjimit të vizave, dhjetë vite më pas përmes qeverisë së saj propozoi rikthimin e vizave për nënshtetasit shqiptarë.
Pranvera shqiptare
Vendi gjendet në situatën më të rëndë shëndetësore, politike, ekonomike, kushtetuese, dhe të përfaqësimit në 30 vitet e fundit.
Në cdo frymëmarrje të saj kjo qeveri i shton borxhet qytetarëve, u shuan edhe më shumë shpresën, dhe i detyron edhe më shumë të largohen dhe është qartësisht pengesë për integrimin evropian të vendit.
Ndaj në këto kushte, cdo ditë që kalon me këtë qeveri është një ditë e humbur për të ardhmen e vendit.
Nuk mund të vazhdohet më së enduri në greminë por duhet një fillim i ri, energjik, me vizion dhe dëshirë për ta bërë Shqipërinë një vend me standarde dhe të ardhme të sigurtë. Një vend ku rinia të jetë arkitekte e ideve të saj dhe të gjithë shqiptarët ta ndërtojnë këtu të ardhmen e tyre.
“Rilindja” na ktheu shumë vite pas, por kjo nuk duhet të na dekurajojë, përkundrazi na shtyn të punojmë edhe më shumë për të mos pritur se cfarë do ndodhë në të ardhmen, por ta ndryshojmë Shqipërinë tani, të mbrojmë e ndryshojmë jetën e shqiptarëve tani.