Emigrantë të shumtë kanë mbërritur këtë të mërkurë në vendin tonë për të kaluar pushimet verore pranë njerëzve të afërt.

Mësohet se plot 3050 pasagjerë kanë zbritur në portin e Durrësit paraditen e sotme, të cilët udhëtonin me tre tragete, dy të nisur nga Bari dhe një nga Ankona.

Në mbrëmje pritet të vijnë edhe dy tragete të tjera nga shteti fqinj, të cilat do të nisen nga porti i Barit.

Ndërkohë, nga Durrësi në drejtim të Italisë deri më tani janë nisur dy tragete ndërsa deri në mbrëmje do të jenë nisur edhe tre të tjerë, me destinacion Barin dhe Ankonën.

Nga ana tjetër, Autoriteti Portual Durrës bën me dije se të gjithë strukturat portuale janë të angazhuara për kryerjen e procedurave në mënyrë sa më të shpejtë.

Muajt e nxehtë të verës shënojnë edhe pikun e fluksit të emigrantëve që vijnë në atdhe për pushime.