Luiza Gega shkruan historinë në Lojërat Olimpike të Tokyo-s. Për herë të parë Shqipëria do të marrë pjesë në një finale të atletikës në Olimpiadë dhe kjo për meritë të atletes 32-vjeçare. Gega e mbylli me kohën e 5-të gjysmëfinalen e garës së 3000 metrave me pengesa duke siguruar një biletë për finalen e madhe. Dibrania e ndali kronometrin me kohën 9 minuta 23 sekonda e 85 të qindat.
Një rezultat vërtetë i jashtëzakonshëm për sportisten që kishte privilegjin dhe kënaqësinë të ishte edhe mbajtësja e flamurit kuqezi në ceremoninë e hapjes. Nga 16-të atletet që u kualifkuan në finale, Gega regjistroi kohën e 11-të duke lënë pas 5 sportiste, ndërkohë që nga 10 atlete që regjistruan kohën më të mirë në gjysmëfinale, 4 prej tyre ndodhen më poshtë në renditjen botërore të atletikës, me Gegën që mban vendin e 13-të në klasifikimin e përgjithshëm të federatës së atletikës.
Misioni do të jetë shumë i vështirë në finalen e madhe që do të zhvillohet më datë 4 Gusht në orën 13:00 me orën e Tiranës, megjithatë në sport fjala e pamundur nuk ekziston, gjithsesi Luiza Gega edhe thjesht me pjesëmarrjen në finale e ka shkruar historinë e atletikës shqiptare.