Teuta luan nesër në orën 21:00 në stadiumin “Tallaght” të Dublinit ndeshjen e parë të vlefshme për turin e tretë të Ligës së Konferencës ndaj Shamrok Rovers.

Mungesë e sigurt në Irlandë për trajnerin Martini, krahas largimit të fundit të Blerim Krasniqit, është edhe mesfushori Albano Aleksi, i cili ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë.

Në krahasim me ndeshjen e fundit ku Teuta fitoi 0-3 ndaj Inter Eskaldes në Andorrë, pritet që të bëhen të paktën dy ndryshime në formacion.

Dilemat më të mëdha janë në mbrojtje, aty ku në balotazh për një vend janë maqedonasi Dragarski dhe Selmani i ardhur nga Laçi, të dy nuk kanë debutuar ende me Teutën, por Martini duhet të ndajë tashmë mendjen se kush do të jetë “partneri” i Arapit në qendër.

Gjithashtu, ka dilema edhe për krahun e majtë, aty ku Kotobelli dhe Xhekson luftojnë për një vend. Pjesa tjetër e ekipit nuk ndryshon, teksa skema do të jetë 4-2-3-1 me Gjeorgievin në majën e sulmit.