Kampiones së Shqipërisë i iku barazimi nga duart në Irlandë, pikërisht në minutat shtesë të ndeshjes. Humbja minimale lë shpresë për kualifikimin në takimin e kthimit që luhet më 12 gusht. Teuta duhet të përmbysë Shamrok Rovers për të kaluar në fazën “play off” të Konferencë Ligës.

Durrsakët humbën me shifrat 1-0 në ndeshjen e parë dhe janë ende në valle për t’u kualifikuar më tej. Shansi i vetëm për ekipet e Superiores që të shohin një skuadër në grupet e Conference League është Teuta. Emiljano Vila beson te forca e skuadrës dhe pohon Teuta do të arrijë që të kualifikohet ndaj irlandezëve në ndeshjen e kthimit, që do ta luajnë të enjten, ora 20:00, në “Elbasan Arena”.

I rezistuat Shamrokut për 90 minuta, por u ndëshkuat në shtesë. Ju vjen keq që nuk arritët të merrnit të paktën një barazim pa gola?

Ky është futbolli. Në pjesën e parë kishim 3-4 situata të pastra për gol. Na vjen keq për golin e pësuar. Skuadra ishte në rregull në fazën defensive, kundërshtari dominoi disi, por nuk rrezikoi. Ishte e tmerrshme që me atë lojë dhe me atë situatë të dalësh i humbur. Por, ky është futbolli. U ndëshkuam nga një moment pa pretendime fare.

Si është gjendja e skuadrës në prag të ndeshjes së kthimit?

Situata është mjaft e mirë. Ndeshja e parë me Shamrokun në Irlandë na vuri në dukje disa probleme që u munduam t’i riparonim gjatë javës për sfidën e së enjtes. Gjendja është e mirë, përveç Lorenco Vilës që është i dëmtuar, pjesa tjetër është OK dhe jemi në gjendje optimale.

A besoni te kualifikimi?

Absolutisht që besojmë te kualifikimi, sepse ky është objektivi ynë, të kalojmë në “play off”. Megjithatë, duhet të dimë se përballë do të kemi një ekip shumë të përgatitur dhe me përvojë, i cili vitet e fundit ka bërë mirë në Europë. Ne po ia bëjmë “hyzmetin” shumë punës dhe do të synojmë patjetër kalimin në turin tjetër.

A e keni menduar që ndeshja mund të shkojë edhe në shtesë apo te penalltitë?

Ne përgatitemi për të gjitha rrethanat që mund të krijojë loja, por shpresojmë që të enjten ta mbyllim më herët. Megjithatë, duhet t’i marrim masat për çdo gjë.

Sa shanse ka Teuta të arrijë fazën “play off” të Konferencë Ligës?

Mendoj që shanset janë 50 me 50, por duhet të kemi përqendrim maksimal në fushë. Teuta e ka treguar gjithmonë që kur është rrëzuar është bërë më e fortë. I kemi studiuar dhe mund të them që kemi kapur pika të dobëta. Jemi fokusuar te loja jonë. Do t’ia dalim me sukses nëse realizojmë lojën tonë, ashtu siç duhet.

Keni një thirrje për tifozët durrsakë për ndeshjen e kthimit?

Na mungojnë shumë, shpresoj që të enjten të jenë sa më shumë dhe të na mbështesin maksimalisht në shkallët e stadiumit.