Këngëtari Justin Bieber kryeson listën e këtij viti të nominimeve në MTV Video Music Awards 2021, që do të mbahet në New York dhe transmetohet nga Barclays Center në Bruklin më 12 shtator.

Ylli i pop-it ndiqet nga artistët Megan Thee Stallion, Billie Eilish, Doja Cat, Drake, Giveon, Lil Nas X dhe e nominuara për herë të parë, Olivia Rodrigo, shkruan “DailyMail”.

Artisti kanadez është nominuar për shtatë çmime, duke përfshirë “Videoja muzikore më e mirë e vitit”, “Artisti më i mirë i vitit, Kinematografia më e mirë”, “Regjia më e mirë”, “Kënga më e mirë pop” dhe “Bashkëpunimi më i mirë”, për bashkëpunimin “Peaches” me Daniel Caesar dhe Giveon. Megan Thee Stallion është e dyta me gjashtë nominime. 

Nominimet vijnë kryesisht nga kënga e saj e suksesshme “ WAP”, e cila e ka nominuar atë në kategoritë: “Videoja muzikore më e mirë e vitit”, “Artisti më i mirë i vitit”, “Bashkëpunimi më i mirë” dhe “Kënga më e mirë hip-hop”.

Nga shqiptaret me famë botërore, Dua Lipa është e vetmja këngëtare që ka arritur të nominohet në çmimet “Kënga më e mirë e vitit”, “Bashkëpunimi më i mirë”, “Kënga më e mirë latine” dhe “Regjia më e mirë”.