Teuta doli jashtë kompeticioneve europiane pas eliminimit ndaj Shamrockut dhe duket se menjëherë pas epilogut europian kanë ardhur edhe disa largime të rëndësishme. Pasi i dha lamtumirës skuadrës portieri më pak i ndëshkuar i sezonit të kaluar, Stivi Frashëri, ka ardhur edhe fundi i përvojës së Sulejman Starovës si drejtori teknik i ekipit bregdetar. Ka qënë vetë klubi që ka zyrtarizuar divorcin me 65-vjeçarin, i cili kishte meritat e tij në triumfin e Teutës në kampionat pas 27 vitesh. Një këshilltar i denjë për trajnerin Edi Martini falë përvojës së madhe si trajner i shumë skuadrave dhe fitues i dy titujve kampion me Partizanin e Tiranën.
NJOFTIMI I KLUBIT:
Faleminderit Kampion!Sulejman Staroves i dëshirojmë shumë suksese në vazhdimësi të karrierës! Pas një periudhe 1 vjeçare të bashkëpunimit, klubi dhe drejtori teknik kanë ndarë rrugët. KF Teuta me këtë rast falënderon Bobin për kontributin e dhënë në klubin blu, duke i uruar gjithë të mirat në të ardhmen.
Me sa po kuptohet, Teuta e sezonit të ri do të jetë shumë ndryshe nga ajo skuadër që u shpall kampione në Maj, pasi përveç Starovës që ishte i fundit i larguar, ekipit durrsak i kanë dhënë lamtumirën edhe Frashëri, Rustem Hoxha, Kouros, Avdyli, Krasniqi dhe Dejvi Bregu, lojtarë që kishin një kontribut të rëndësishëm në rrugën drejt trofeut.Ndërkohë që nuk është e sigurt as e ardhmja e kapitenit Reanto Arapi i cili është në fund të kontratës së tij me klubin. Janë afruar edhe disa lojtarë, mbi të gjithë Kallaku, teksa do të zyrtarizohet edhe portieri Pano Qirko, por mbetet për t’u parë nëse Teuta e re do të jetë e përforcuar apo e dobësuar në krahasim me sezonin e fundit.