Situata e vështirë ekonomike e Interit nuk është më një sekret dhe kjo gjë po shikohet edhe në lëvizjet e klubit në merkato.Edhe pasi fituan skudeton, pronësia e klubit vazhdon të jetë e zhytur në borxhe. Pas kalimit të 68% të aksioneve nga “Suning” te “Great Horizon”, kompani luksemburgase dhe marrjes së borxhit nga “Oaktree”, po afrohet koha që grupi kinez të shlyejë borxhet që po e lejojnë deri tani të mbajë drejtimin e klubit.

“Great Horizon” u ka dhënë zikaltërve 2 bonuse me vlerë totale 375 milionë, të cilat duhet të paguhen deri në dhjetor 2022. Nga ana tjetër 275 milionë eurot e huazuara nga fondi “Oaktree” ndihmuan që bilanci i këtij viti të mos kishte humbje aq të mëdha sa të sezonit të shkuar dhe për të mbyllur disa borxhe ndaj palëve të treta.Pikërisht kjo shumë duhet të paguhet brenda tri viteve dhe ndërsa i shtohen edhe 72 milionë euro interesa, në fund të trevjeçarit, zikaltrit do t’u detyrohen amerikanëve 340 milionë euro. Pra në total, një shifër prej 700 milionë eurosh, të cilat ende nuk dihet si do të paguhen.

Siç raportohet nga Karlo Festa, gazetar ekonomie në Itali, Interi është padyshim në shitje. Te zikaltrit po punojnë me bilancet dhe po kërkojnë të krijojnë plusvalencë, pikërisht për të pasur të mundur të afrohen klientët e duhur për ta blerë klubin. Pretendimet e mëparshme nuk vlejnë më dhe 1 milion eurot e kërkuara nga kinezët tani duken një mirazh.“Kartoni” i klubit duhet të zbresë në 600-700 milionë euro, ndryshe ofertat do të vazhdojnë të mungojnë. Zhang duket se po qan ende mundësitë që ka refuzuar më parë për shitjen e klubit, kur me planin e Superligës Europiane, dukej se do të zgjidheshin të gjitha problemet e zikaltërve.