Papu Gomes ka rrëfyer pas shtatë muajsh largimin nga Atalanta. Ish-kapiteni bergamask që tanimë luan me Sevillan në Spanjë ka treguar se trajneri Gasperini ka tentuar ta godasë dhe nuk i ka kërkuar falje, me presidentin që nuk ka reaguar.“Supozoj se kisha qëndrim të gabuar në një ndeshje sepse në Ligën e Kampionëve kundër Midtjylland nuk iu binda një ndryshimi taktik nga Gasperini. Trajneri më tha të spostohesha nga e djathta, por unë po bëja mjaft mirë majtas. Nuk pranova dhe ai u nervozua. Kur mbaroi pjesa e parë donte të më godiste në dhomat e zhveshjes. Gabuam të dy. Unë kërkova falje, ndërsa ai jo.
Në atë moment thashë mjaft. Sigurisht, mund të argumentohet, por agresioni fizik është i patolerueshëm. Pas asaj ngjarjeje, unë kërkova një takim me presidentin Antonio Percassi dhe i thashë se nuk do ta kisha problem të ecja përpara. E kuptova se kisha bërë një gabim, nuk sillesha mirë si kapiten, përkundrazi, kisha qenë një shembull i keq duke mos iu bindur trajnerit, por gjithashtu i kërkova Gasperinit të kërkonte falje. Të nesërmen pati një takim me të gjithë ekipin. I kërkova falje trajnerit dhe shokëve të skuadrës për atë që ndodhi, por nuk mora mbrapsht një gjë të tillë. Presidenti s’e kishte forcën të reagonte“, tha Gomes.





