“Do të kërkoj interperlancë në Kuvend me kryeministrin Rama për të bërë transparencë për portin e Durrësit!”

Kështu iu përgjigj kreu i PD Durrës dhe njëherësh deputet në Kuvendin e ardhshëm, pyetjes së “DurrësLajm” se çfarë veprimesh konkrete apo nismash ligjore do të ndërmarrë partia më e madhe opozitare për projektin e portit turistik, të prezantuar nga kryeministri Rama pak muaj më parë.

Gjatë një deklarate për shtyp, shumë pranë zyrës së shitjes të hapur pak javë më parë në portin më të madh në vend, Xhaferaj deklaroi se kjo zyrë është dëshmi e grabitjes që mafia e oligarkëve pranë kryeministrit po i bën 160 ha pronë publike.  

Sot, portin 100 vjeçar të Durrësit, Rilindja e ka degraduar në një zyrë të rëndomtë shitjesh, një abuzim i pastër me pronën publike. Që në gjenezë, thelbi i projektit edhe në 3D është ndërtimi dhe shitja e vilave luksoze dhe jo zhvillimi i qytetit në mënyrë të tillë që përfitimet nga porti të ndjehen nga çdo qytetar i Durrësit dhe më gjerë. Këto zyra që i janë grabitur portit sot, do të shërbejnë si kupola nga ku do të grabiten 160 hektarë tokë publike në shërbim të interesave të ngushta klienteliste. Në mungesë totale transparence, porti po zhvillohet duke u degdisur, pa plan dhe pa projekt, në Porto Romano. Porti 100-vjeçar i Durrësit, nga një aset i mirëfilltë i gjithë qytetit, po kthehet në një zyrë shitjesh apartamentesh luksoze për oligarkët e Ramës”,- deklaroi Xhaferaj.

Në emër të degës lokale të PD, Xhaferaj i bëri apel SPAK që të nisë hetimet për këtë aferë korruptive siç e quajti ai këtë projekt.

“PD Durrës nxit institucionet e reja të drejtësisë si edhe prokurorinë për të hetuar dhe vepruar”,- tha Xhaferaj.

Kreu i PD Durrës përjashtoi çdo mundësi që përfaqësues të Partisë Demokratike të jenë përfshirë në këtë projekt.