Pëmes një video-mesazhi të publikuar në Facebook nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, mjekja obstetër-gjinekologe, Rubena Moisiu rekomandon gratë shtatzëna dhe ato që planifikojnë shtatzëni të bëjnë vaksinën në kohën e duhur që të jenë më të mbrojtura nga Covid-19.
Sipas mjekes, nuk ka asnjë fakt shkencor që të provojë se vaksina dëmton apo pengon shtatzëninë.
‘’Nuk ka asnjë të dhënë shkencore deri më sot e cila të vërtetojë ose mbështesë faktin që vaksina pengon mundësinë e një shtatzënie. Përkundrazi, rekomandojmë gratë shtatzëna të bëjnë vaksinën në kohën e duhur që të jenë të mbrojtura.’’- tha ajo.
Manastirliu i apelon qytetarët që të mos neglizhojnë vaksinën, por ta bëjnë sa më shpejt ndërkohë që shtatori është muaj i hapur për moshat mbi 18 vjeç.