Mbetjet urbane të qyteteve të Krujës dhe Fushë-Krujës prej kohësh po depozitohen dhe digjen në fshatin Halil.
Banorët e fshatit janë shprehur të shqetësuar lidhur me problemin e mbetjeve të cilat transportohen pranë banesave të tyre që prej vitit 2002.
Për shkak të djegieve të mbeturinave pranë banesave, banorët thonë se atyre po i rrezikohet shëndeti, pasi nga era e rëndë nuk hapin dot as dritaret e shtëpive.
Ndërkohë ata shprehen se përveç pasojave në njerëz po dëmtohet seriozisht edhe ekosistemi natyror i Krastë-Verjonit, i shpallur “Peizazh i Mbrojtur”, i cili ndodhet pranë vendgrumbullimit të plehrave.
Banorët e fshatit janë ankuar edhe në bashki me një letër që i kishin dërguar kryebashkiakut, Artur Bushi ku i kërkonin të gjente një zgjidhje për problemin e mbetjeve por deri tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje.