Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu kujtoi edhe një herë afatin e vaksinimit që është vendosur për pedagogët dhe mësuesit, i cili përfundon më 30 shtator.
Por ministrja njoftoi se po hartohet një plan për ta vijuar vaksinimin edhe në universitete dhe konvikte, me rifillimin e shkollave.
“Kjo do të shërbejë për të gjitha ata studentë, apo pedagogë që ende nuk e kanë kryer vaksinën” u shpreh Manastirliu.
“Në secilin prej universiteteve sipas një kalendari, edhe në njësitë vendore ku ka universitete do jemi në çdo Fakultet për të bërë vaksinën aty për të gjithë ata studentë ap pedagogë që ende nuk e kanë bërë”, tha Manastirliu.
Ministrja tha se vaksinimin duhet ta kryejnë edhe edukatoret e kopshteve dhe çerdheve.
“Për pedagogët dhe mësuesit kemi vendosur afatin që është 30 shtatori që ta kryejnë këtë proces. Janë më shumë se 60 % e mësuesve që kanë bërë të dyja dozat. Brenda shtatorit jam e bindur që do arrijmë rezultate shumë të mira për studentët, pedagogët dhe ekukatorët e kopshteve dhe cerdheve”.
“Të gjitha vaksinat mbrojnë”– garantoi ministrja teksa nënvizoi rëndësinë e respektimit të masave të tjera si distanca fizike dhe mbajtja e maskës në ambiente të mbllura.





