Prindërit e gruas shqiptare, Anisa Shehu, që u vra nga bashkëshorti Florandi, në fund të muajit korrik, në banesën e tyre në Greqi, kanë marrë kujdestarinë e fëmijës.
Sipas mediave greke, autoritetet vendosën se “prindërit e nënës së djalit të mitur mund ta rrisin atë dhe ta mbështesin në të gjitha fazat e jetës siç kanë bërë deri më sot”.
Nga gjykimi u konstatua se babai i fëmijës, i cili aktualisht ndodhet në qelinë e paraburgimit nuk mund të përmbushë rolin e tij.
40-vjeçari Shehu e goditi me thikë bashkëshorten 31-vjeçare duke e lënë të vdekur pas një sherri për motive xhelozie. Fqinjët e tyre shpesh kishin denoncuar në polici për dhunën që autori ushtronte ndaj viktimës.
“Ishin çift që ziheshin shpesh. Asgjë nuk ishte e papritur. Më 11 Korrik kisha paraqitur ankesë në polici sepse u përleshën atë ditë dhe po bënin zhurmë. Policia erdhi atë ditë, makina e patrullës kaloi lart e poshtë, por nuk mendoj se trokiti në derën e tyre, nuk bënë asgjë. Ne nuk dinim as emrat e tyre. E vetmja herë që ata trokitën në derën tonë ishte gjatë karantinës, kur djalit të tyre i duhej kodi i internetit për shkak se ata e kishin ndërprerë”, tha një nga fqinjët, pas ngjarjes së rëndë.





