Policia ka zbardhur plagosjen e dy vëllezërve në Shkodër, ku shkak dyshohet se ka qenë një konflikt për çështje pronësie.
Nga burimet zyrtare mësohet se fillimisht ka pasur përplasje fizike, ku si pasojë ka mbetur i dëmtuar me sende të forta një 34-vjeçar dhe më pas sherri ka agravuar në përdorimin e armës.
“Më datë 08.09.2021, rreth orës 09:15 në Fshatin e Ri, Njësia Administrative Rrethinat, Shkodër, gjatë një konflikti fizik për motive pronësie, është dëmtuar me sende të forta shtetasi L.G., 34 vjeç.
Konflikti është përshkallëzuar më tej ku shtetasi Xh.F, ka plagosur me armë zjarri pistoletë shtetasin I.G., 41 vjeç vëllain e 34 vjeçarit, të cilët janë transportuar në spital jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë dhe vijon krehja e zonës me qëllim kapjen e autorit.”, thuhet në njoftimin e policisë.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe vijon puna për sqarimin e rrethanave dhe zbardhjen e ngjarjes.





