Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Yuri Kim, ka zhvilluar ditën e sotme një takim me kreun e SPAK-ut, Arben Kraja.
Përmes një postimi në “Twitter”, Kim thotë se pret nga SPAK që të godasë krimin e organizuar dhe korrupsionin, “sado i pasur apo i fuqishëm që të jetë”.
“U takova sot me kreun e SPAK, Arben Kraja për të nënvizuar pritshmërinë e SHBA, për të ndjekur penalisht krimin e organizuar dhe korrupsionin, pa marrë parasysh se sa i fuqishëm apo i pasur është, pavarësisht nga cila parti. Me më shumë hetues e prokurorë të rinj, BKH dhe SPAK po jep rezultate çdo ditë.”,- shprehet ambasadorja Kim.
Më herët, në media kanë qarkulluar zëra se muaji shtator do të sjellë arrestime të bujshme zyrtarësh e politikanësh të lartë të përfshirë në afera korruptive, megjithatë edhe mosbesimi ka qenë konstant.
Ambasadorja Kim bën më tej një bilanc të çështjeve të reja të hapura nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
“Që nga fillimi i vitit 2021, SPAK ka hapur 264 raste të reja (218 korrupsion + 46 organizata kriminale). 127 persona u dënuan. Vendimet përfundimtare të gjykatës konfirmuan konfiskimin e 70+ milionë eurove që tani i janë transferuar shtetit shqiptar. Hap pas hapi…,” shprehet ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim.






