Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka mbledhur pasditen e sotme grupin parlamentar të PD.

Mësohet se opozita do të krijojë tre grupe parlamentare. Në Kuvend do të jenë grupi parlamentar i PD-së, ai i PDIU-së dhe ai i aleatëve të tjerë të Bashës, përkatësisht PR-së, PAA-së, LZHK-së dhe PBDNJ-së.

Pasi një grup parlamentar duhet të ketë të paktën 7 deputetë, PD-ja do t’i japë PDIU-së, e cila mori në zgjedhjet e 25 prillit 3 deputetë, edhe 4 deputetë të tjerë, për të krijuar grupin e saj parlamentar.

Gjithashtu, njoftohet se PD-ja do iu japë 3 deputetë partive të tjera aleate PR-së, LZHK-së, PAA-së dhe PBDNJ-së, të cilat morën në zgjedhje 4 deputetë.

Kujtojmë ndër të tjera se në orën 17:00 do të zhvillohet seanca e radhës plenare në Kuvendin e Shqipërisë, ku do të caktohen sekretariatet, komisionet, si dhe byroja.