Edi Martini pritet të konfirmojë ndaj Vllaznisë të njëjtët lojtarë që e nisën titullarë kundër Partizanit, duke fituar 1-0 në javën e parë të kampionatit.

Të gjithë futbollistët janë të gatshëm për trajnerin dhe ai do ta ketë luksin e përzgjedhjes.Megjithatë, formacioni fitues nuk do të ndryshojë dhe me Qirkon në portë, katërshja e mbrojtjes pritet të jetë sërish me Todorovskin dhe Xheksonin nga krahët, si dhe Selmanin e Ivanoviçin në qendër.

Përpara mbrojtjes do të rreshtohen Aleksi dhe Daja. Me skemën 4-2-3-1, në rolin e fantazistit do të jetë kapiteni Kallaku.

Nga krahët durrsakët do të jenë të mbushur me eksperiencë, pasi do të luajnë Emiljano Vila dhe Plaku. Në majën e sulmit rikonfirmohet heroi i ndeshjes me Partizanin, Pepi Gjeorgiev. Sulmuesi maqedonas po fiton besimin e plotë të stafit duke shfaqur një formë të mirë.