Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden pritet të premtojë 4 miliardë dollarë për një program të vaksinimit kundër koronavirusit për vendet më të varfra.

Zotimi pritet të bëhet publik në një takim virtual të G7-ës, apo grupit të vendeve më të industrializuara, që do të mbahet gjatë ditës së sotme.

Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë tha se SHBA-ja do t’i japë menjëherë dy miliardë dollarë për programin ndërkombëtar COVAX, ndërsa dy miliardët e mbetur do të jepen gjatë dy vjetëve të ardhshëm.

COVAX është një projekt global për blerjen dhe shpërndarjen vaksinave për së paku 20% të popullatës së rrezikuar në secilin vend. Plani është hartuar për t’iu mundësuar vendeve të varfra të arrijnë hapin në vaksinim, përballë vendeve të pasura.

Vendet e G7-ës janë Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Japonia, Britania, Franca, Kanadaja dhe Italia. Organizata ndërkombëtare kundër varfërisë One Campaign tha në një raport të publikuar të premten, se vendet e pasura janë në rrugë për të pasur mbi një miliard vaksina më shumë, sesa u duhen.

Kjo, sipas organizatës, do të bëjë që kombet e varfra të luftojnë për furnizimet e mbetura. Organizata, me seli në Uashington, u bëri thirrje vendeve të pasura, të tilla si Shtetet e Bashkuara dhe Britania, që t’i shpërndajnë dozat e tepërta.

Koronavirusi ka prekur së paku 110 milionë njerëz në të gjithë botën. Prej tyre, mbi 2.4 milionë kanë vdekur, ndërsa mbi 62 milionë janë shëruar. Vaksinimi i rreth 70% të popullatës shihet si mënyrë për mposhtjen e virusit./REL