Në një prononcim për mediat nga qyteti i Korçës, Presidenti Ilir Meta është shprehur se situata e demokracisë në vendin tonë është problematike, por jo më keq seç ishte para 25 prillit.
Meta deklaroi se para zgjedhjeve kishte zero opozitë dhe situata ishte katastrofike duke theksuar se tashmë opozita duhet të përmbushë përgjegjësitë e saj në parlament që institucionet e tjera të rimarrin veten dhe të respektojnë Kushtetutën e Shqipërisë.
“Situata e demokracisë në vendin tonë është në një gjendje problematike, nuk është siç do të donin shumë përfshi mua, pas 25 prillit, por është shumë më mirë se situata katastrofike para 25 prillit, në kushtet e mungesës së një parlamenti kushtetues e funksional. Në kushtet e 0 opozitës në gjitha institucionet qendrore të vendit. Mbas 25 prillit janë mundësitë për rivendosjen e plotë të demokracisë për një demokraci funksionale dhe një parlament funksional. Ky është qëllimi ynë kryesor që demokracia të funksionojë që premtimet e atyre që votohen të mbahen”, u shpreh Meta ndërsa apeloi për kujdes ndaj situatës me pandeminë në vend.





