5 kompani në garë për ndërtimin e portit tregtar në Porto Romano prezantuan sot propozimet teknike për këtë projekt të rëndësishëm.
Në garën ndërkombëtare të hapur 3 muaj më parë për detajimin e projektit inxhinierik të portit të ri tregtar morën pjesë 14 operatorë, nga të cilët janë përzgjedhur vetëm 5 prej tyre.
Para ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku dhe Drejtorit Ekzekutiv të APD Durrës, Pirro Vengu, 5 përfaqësuesit e kompanive finaliste prezantuan projektet e tyre teknike për ndërtimin e portit tregtar.
Kompanitë ndërkombëtare, finaliste në këtë garë, mësohet se janë: F&M – Artelia, Haskonig DHV Abkons, Typsa, Technical – Seed/Atelier4 dhe Egis International GR Albania.
Gjatë fjalës së rastit, të mbajtur në këtë aktivitet, drejtori Vengu theksoi se projekti nuk do të jetë vetëm për ndërtimin e një porti të ri tregtar, por për të krijuar një nyje të mirëfilltë logjistike mes gjithë investimeve të rëndësishme që po realizohen në këtë zonë nga qeveria shqiptare dhe subjektet private.
“Në përputhje me vizionin ekonomik dhe zhvillimor të qeverisë Rama kemi kërkuar nga kompanitë garuese që të ideojnë jo vetëm një Port por një nyje të mirëfilltë logjistike, me ndërlidhje rrugore dhe hekurudhore, me terminale të reja, me hapësira logjistike, park energjetik dhe zonë ekonomike të orientuar drejt prodhimit për eksport.
Nga suksesi i projekteve të tilla varet rimëkëmbja e sektorit detar në Shqipëri dhe pozita jonë ekonomike në Europën Jug-Lindore”,- tha Vengu gjatë fjalës së tij.
Ndërsa ministrja Balluku thotë se prezantimet teknike janë hapi i radhës për të bërë realitet këtë projekt të qeverisë shqiptare.
“Prezantimi i propozimeve teknike ishte hapi i radhës sa i takon projektit për ndërtimin e portit të ri në zonën e Porto Romanos. Interesi i lartë i shfaqur nga kompanitë ndërkombëtare për këtë vepër, është shenjë e qartë e rëndësisë që mbart ky projekt, jo vetëm për Durrësin, Shqipërinë, por gjithë rajonin. Krenare që projektet tona po tërheqin gjithmonë e më shumë vëmendjen e kompanive më të njohura në Europë e më gjerë. Të vendosur për ta çuar deri në fund këtë projekt duke e bërë realitet”,- shkruan Balluku në rrjete sociale.