Nëna që humbi djalin e saj 7-vjeçar në tragjedinë e Gërdecit, ka reaguar ditën e sotme pas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit për të rigjykuar ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu.
Zamira Durda tha për “News24” se është një lajm i mirë dhe se kërkon një vendim përfundimtar gjykate.
“Është një hap i mirë, për të gjithë. Një lajm i mirë për të gjithë që të paktën të ketë një ndëshkueshmeri. I kam parashtruar të gjitha kërkesat e mia nëpërmjet avokatit edhe pse nuk isha e pranishme.
Këtë kam pritur se për gjithë këtë kohë 14 vjet, kam qenë në të gjitha institucionet dhe shpresa e fundit ishte tek SPAK. Kjo është ajo që prisja, rihapje dhe të ketë një vendim gjykate, a është i fajshëm, a i pafajshëm se na bënin karshillëk gjatë gjithë kohës”, tha Durda.
Zamira Durda shtoi se në qoftë se djali i saj do të ishte gjallë, ai sot do ishte 21 vjeç, duke shtruar pyetjen se përse nuk jeton fëmija i saj?!
“Gjithë këto kohë e kaluar me një dhimbje shumë të madhe e duke mos marrë dhe drejtësi dhimbja sa vjen e shtohet. Është dyfishuar dhimbja me mospasjen e drejtësisë. Djali im do ishte sot 21 vjeç, përse nuk jeton fëmija im. Kjo gjë më mundon nga dita në ditë, sa më shumë vite kalojnë dhimbja ime shtohet”, tha Durda.





