Një 26-vjeçar nga Kavaja, është arrestuar ditën e sotme, pasi u kap duke transportuar 4 emigrantë të paligjshëm.
I riu u ndalua nga në aksin Korçë-Pogradec, në afërsi të fshatit Vashtmi, ku dhe u konstatua prania e emigrantëve të jashtëligjshëm në automjetin e tij “Alfa Romeo”.
“Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe Policinë Rrugore, në vijim të operacionit policor të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit K. H., 26 vjeç, banues në Kavajë.
Ky shtetas është konstatuar nga shërbimet e Policisë Rrugore, në aksin rrugor Korçë-Pogradec, në afërsi të fshatit Vashtmi, Maliq, duke transportuar në drejtim të Tiranës, me mjetin tip “Alfa Romeo”, 4 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim.





