Kanë përfunduar në prangat e policisë dy të rinjtë që shoqëronin 21-vjeçarin Aldi Rama kur qëlloi për vdekje policin Saimir Hoxha në Lezhë.
Bëhet fjalë për shtetasit Armando Marku, 26 vjeç dhe Kristian Sheri, 27 vjeç, banues në Lezhë, ndërsa policia konfirmon në një njoftim zyrtar se ka ndërruar jetë në spital i riu Aldi Rama.
NJOFITMI I POLICISË
Në vijim të veprimeve të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë Lezhë, për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes ku mbeti i vrarë punonjësi i Policisë S. H., në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve A. M., 26 vjeç dhe K. Sh., 27 vjeç, banues në Lezhë.
Ndërkohë, rreth orës 05:35 të mëngjesit të sotëm, ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë, autori i ngjarjes, shtetasi Aldi Rama.
Ekspertët mjeko-ligjorë, në prezencë të grupit hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, po kryejnë autopsinë dhe gjithë veprimet e tjera ligjore.
Grupi i posaçëm hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes.





