...Sul Poda jo vetëm lahet dhe noton, por edhe luan me ujët e detit, argëtohet, kënaqet. Dhe kjo kënaqësi është arti i notimit të tij, është psikologjia e tij, është planifikimi i kohës së tij, është shembulli i tij për të tjerët…

…Dhe m’u duk një çast që mbiemri Poda, u kthye si një podium madhështor, ku i vendosur në qendër të tij shikohet 78 vjeçari Sulejman Poda. Dhe gjithnjë pasionant. Dhe gjithnjë duke notuar…

Nga BUJAR QESJA

Sulejman Poda është shumë i njohur në notin shqiptar. Notar, por edhe trajner, seleksionues i mirfilltë, duke i dhënë notit rekordmenë, por edhe duke ruajtur vazhdimësinë. Ndonëse banon në Tiranë, Durrësin e ka aq pranë, sa e arrin me një hapje krahu. Sula është në moshën 78 vjeçare, por as ka ndërmënd t’i kujtojë shifrat, pasi ka ende punë me ujin. Sula dhe deti, Sula dhe pishina janë si vëllezër siamezë, që plotësojnë në prefeksion njëri tjetrin. Sula është “Mjeshtër i Madh”, por akoma më të madh atë e bën kontakti me ujin. Sula është tiranas, por në raport me detin, durrsakët duhet të maten mirë ta konkurojnë.

Në Durrës kemi patur shtylla të notit, por koha dhe jeta kanë bërë të vetën. Na janë larguar shumë, shumë, ndër ta Bon Kadiu, Koço Afezolli, Agron Ismailati, Burhan Truma, Vlash Dhima, Eqerem Korra, Fatmir Murati, Agron Kallaku, Rexhep Gojana, Xhevdet Mitraku, etj. që i kemi patur aktiv në notim edhe kur ishin të moshuar. Na mbetet një shembull. I mahnitshmi njeri dhe notar, 81 vjeçari Niko Korani noton ende nga Currilat, por me kohë dhe distancë të limituar. Sa herë që më takon, mjeshtri Korani më thotë:

-Bujar, ke të fala nga Currilat!

Por ky Sul Poda, është një njeri me energji befasuese. Ai karikohet si një bateri gjigande dhe shkarkohet fuqimisht nga kontakti me ujët e detit. Rasti më i freskët është këto ditë. E dinte ku rrija dhe vjen ky Sul Poda nga Tirana, drejt e në “folenë” time. Është i thjeshtë, sa vetë thjeshtësia. Kishte marrë autobuzin e linjës Tiranë –Durrës dhe vrap, tek i njohuri i tij në Durrës. Pse nuk kishte mundësi Sul Poda, të gjente një shok me makinë e të vinte në Durrës? Pak njeh ai? Por bota e tij, intimiteti i tij, vlejnë më shumë. I japin një lloj pavarësie që e kthen në lëvizje, në notim, në shëndet.

-Vetëm ke ardhë? E pyeta, kur ma behu në derë.

-Pse më pyet. Edhe vetëm jam i shoqëruar. Pres me padurim të notoj. Ti e din miku im, që sa të jem gjallë, nuk kam për të hequr dorë nga noti. Erdha të pij një kafe, të të shikoj në këto kohë të vështira, të të jap pjesë nga optimizmi im dhe të vrapoj t’i e din se ku.

Më kishte sjellë pak raki kumbulle, si një shoqërues i përkohshëm në mëngjeset e mia, për të kujtuar sadopak këtë tiranas aq të ëmbël, aq të mirë, aq modest, por shumë me emër në fushën e sporteve. Sul Podës nuk i nxë më gjoksi medalje. Në shtëpi, një dhomë e ka të mbushur me kupa. Por mbi gjithçka, Sul Poda ka mbushur me mirësi zemrat e miqve të tij, me atë bonsensin e tij origjinal, me një të qeshur që se gjen gjëkund, me një komunikim, që nuk do të doje që të mbaronte kurrë, kurrë.

-Ta kam thënë njëherë Bujar, që Selaudin Mustafarajin e kam timin. Ka qenë basketbollist me “Lokomotivën”. Mustafarajt janë shumë sportivë. Keni edhe heroinën e sporteve të Durrësit Diktere Mustafarajin. Vij i takoj edhe ata. Tiranasit me durrsakët kanë shkuar dhe shkojnë shumë mirë. Më duket se jemi pjesë e njëri tjetrit dhe nuk bëjmë pa njëri tjetrin.

Nuk e dija se çfarë plani kishte ky Sul Poda i madh i notit shqiptar, ky emër që veçse nder të bën. Po i vija re që herë pas here shikonte orën.

-Çfar të mundon?

-Ti e di mikrobin tim. Pasi do të lej ty në “shtëpinë” tënde, me ecje sportive do të dal tek gurët e “Agipit”. Atje do të nisem në drejtim të pistës së “Teutës” dhe do të kthehem. Nuk është më shumë se 1500 metra në vijë të drejtë. Notim pa ndalesë dhe kështu ndjehem më i qetë, pasi marr dozën e planifikuar të ngarkesës fizike.

Dhe në çast kujtova që Sul Poda këtë “ves” e ngacmon edhe në muajt e dimrit. Kam një pamje, teksa ai është në det në muajin shkurt të vitit të kaluar. Besoj që uji trëmbet nga Sul Poda. Ai është kurajoz, veçse një pasionant i pakonkuruar. Ajo që e veçon është notimi sistematik, i planifikuar. Trupi i tij i bëshëm si një “balenë” e çan ujët si motoskaf. Sul Poda jo vetëm lahet dhe noton, por edhe luan me ujët e detit, argëtohet, kënaqet.

Dhe kjo kënaqësi është arti i notimit të tij, është psikologjia e tij, është planifikimi i kohës së tij, është shembulli i tij për të tjerët. Nuk është veçmas ky qëllimi, por noti është kthyer në edukatë për këtë tiranas tërheqës të notimit. Dhe këtë zjarr të pasionit dhe vullnetit për ujët, ia ka transmetuar dhjetra e dhjetra notarëve, duke ndërtuar ekipe sportive me kostume cilësore përfaqësimi, e duke i dhënë Tiranës, të drejtën e mbijetësës së notit në këto vite vështirësish.

Sula sapo është kthyer nga Saranda, ku të gjithë e dinin se ai do të dilte i pari në maratonën për veteranë. Madje çertifikata e vëndit të parë, ishte bërë gati para startit. Dhe miku jonë Sadik Mema edhe ky “Mjeshtër i Madh”, edhe ky një i paepur i notit duke e mbajtur të gjallë Stelën e tij, bën humor me Sulën dhe ngasin njëri tjetrin. Një shoqëri tipike tiranase, me të qeshura dhe shpirtmadhësi.

Jam i bindur sa të jenë Sul Poda, Sadik Mema, Dritan Mezini dhe Agim Çiraku, notimi për veteranë as ka ndërmënd të pushojë. Kjo është vlerë, kjo është traditë, ky është mision dhe mesazh për vijuesit.

Sul Poda e piu kafenë. Qeshjen e tij me shpirt dhe lezetin e muhabetit të tij, e la në tavolinën time. Minutat me të m’u dukën si sekonda. Pasi shtrënguam duart dhe me siguri më pas i lyem me alkol, Sula u nis drejt “Agipit”, plazhit të qytetit tim të lindjes. Më bëhet zemra mal, që tiranas si Sul Poda e shikojnë Durrësin, si vëndin e relaksit dhe bukurisë natyrore, ku deti dhe e përsëris ku deti, është mbulesa jonë mburrëse dhe historike.

Sul Poda iu fsheh syve të mi, për t’i dalë detit ballasi dhe të përfshihet në dallgëzimin e tij. Ky 78 vjeçar, e bën këtë tani me shumë dëshirë. Por jam i sigurtë që edhe 88 vjeç apo edhe më shumë të jetë ky Sul Poda, linja gurët e “Agipit” – pista “Teuta” e kthim, do të jetë itenerari i tij i pandryshuar. Pasi më parë është itenerari i një të jashtëzakonshmi, që “vdes” për notin dhe për detin. Është shembulli që duhet ndjekur. Është pamja e qartë, ku duhet parë dhe lexuar brendësia e saj. Kalitja, ajri i pastër, rrezet e diellit, përpjekja fizike për të notuar e relaksuar, janë sfida që i realizojnë njerëz si Sul Poda, pa pyetur moshën.

Dhe m’u duk një çast që mbiemri Poda, u kthye si një podium madhështor, ku i vendosur në qendër të tij, shikohet 78 vjeçari Sulejman Poda. Dhe gjithnjë pasionant. Dhe gjithnjë duke notuar.

Ardhja jote në Durrës është kënaqësi Sul Poda dhe aq më shumë kur vjen dhe viziton konakun tim.