Katër muaj pas atentatit që iu bë shtetasit Edison Begaj, policia ka arrestuar autorin e dyshuar, shtetasin Mitri Prifti, 36 vjeç me profesion jurist.

“Nga Sektori për Krimet e Rënda në DVP Vlorë u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për shtetasin M. P, 36 vjeç, banues në Tiranë, e cila ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Ky shtetas dyshohet se për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë me armë zjarri, shtetasin E. B, 41 vjeç, i cili si pasojë e të shtënave ka mbetur i plagosur”, thuhet në njoftimin e policisë.

Më 29 maj të këtij viti në fshatin Kaninë, Mitri i maskuar i zë pritë Begajt dhe e qëlloi me armë në fillim në bark e më pas në këmbë. Shënjestra e atentatit mori disa plumba, por pa rrezik për jetën.

Shkak është bërë një përplasje që i arrestuari ka pasur me Begajn në zonën e Lungomares në Vlorë. Përpasja verbale mes të dyve në një lokal, u pasua dhe me konflikt fizik ku Begaj e ka qëlluar Priftin.