Pas lajmeve se Oerd Bylykbashi është mënjanuar prej kryedemokratit Basha nga Reforma Zgjedhore, ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka reaguar përmes një postimi në Facebook.
Teksa e quan demokrat në gen, Manjani vlerëson kontributin e Bylykbashit në legjislacionin zgjedhor ndër vite, ironizon Bashën, për të cilin shkruan në fund se “shyqyr që nuk fitoi!”.
POSTIMI I PLOTË
Oerd Bylykbashi është nga ekspertët më të mirë të legjislacionit zgjedhor që kemi.
Edhe diplomën universitare e mbrojti me një temë mbi sistemet zgjedhore. Eksploroi me pasion një temë që juristët nuk e njihnin fare. Fakulteti i Drejtësisë jo e jo.
Prej më shumë se 20 vitesh Oerdi është kontribues aktiv e legjislacionit zgjedhor. Në fillim në prezencën e OSBE e në vijim në Parlament.
Është demokrat në gen. Simpatizant e më pas anëtar i PD që kur Luli nuk dihej a ekzistonte.
Mund të mos jesh dakord me bindjet e Tij, por që është ekspert dhe me kontribute në këtë fushë nuk e mohon dot. Mund t’i thuash pa frikë se është më shumë se ç’duhet ekspert, por jo se nuk është fare.
Mirëpo partia e Lulit nuk ka nevojë për dije dhe ekspertizë. Ndaj dhe kanë luks të largojnë një kontribues dhe ekspert nga reforma zgjedhore…
Luli vetë të përjashton edhe nga opozita.
Ec e jepi pushtet këtij!
Siç kemi thënë, shyqyr që nuk fitoi!
Një ditë më parë në selinë e Partisë Demokratike mbërriti delegacioni i OSBE/ODIHR, i kryesuar nga Urszula Gacek dhe ndryshe nga herët e tjera, në krah të Lulzim Bashës ishte Sekretari i Përgjithëm i PD dhe Enkeled Alibeaj, të cilit i është besuar tashmë Reforma Zgjedhore.
Nga ana tjetër, në të njëjtën orë, Bylykbashi ishte pjesëmarrës në foltoren e katërt të ish-kryeministrit Sali Berisha në qytetin e Durrësit.
Kujtojmë që pak ditë më parë, Bylykbashi shigjetoi përmes një postimi në Facebook, nismën e liderit demokrat për Reformën Zgjedhore ku shkruante se kjo e fundit nuk është “bukë dhe cirk”.
Për shumë vite, ai ka qenë njeriu kyç në Partinë Demokratike sa i përket Reformës Zgjedhore.





