Teuta po e përgatit ndeshjen ndaj Kukësit me qetësinë e duhur, pas një starti ku ia doli të fitonte kundër Partizanit, e më pas të merrte dy barazime radhazi me Vllazninë dhe Dinamon. Të dielën në “Elbasan Arena”, kampionët në fuqi do të luajnë ndaj kryesuesve aktualë të kampionatit, në një takim ku si kurrë më parë këtë sezon, i gjithë grupi do të jetë në dispozicion të trajnerit Edi Martini.

“Djemtë e detit” janë të karikuar në maksimum, ndërsa do të synojë vetëm fitoren kundër verilindorëve. Në dy takimet e fundit është vënë re ndryshimi që ka pësuar reparti i mbrojtjes pas problemeve shëndetësore të serbit Filip Ivanoviç dhe pezullimit për kartonë të maqedonasit Bllagoja Todorovski. Tashmë të dy lojtarët janë të gatshëm për Martinin, por dilemat shtohen për faktin se Albano Aleksi ka luajtur dy herë radhazi si titullar në qendër të mbrojtjes ndërsa edhe Hektor Idrizaj u aktivizua në krahun e djathtë në përballjen ndaj Dinamos.

Martini është në dilemë për të ndryshuar mbrojtjen apo të vazhdojë me të njëjtën katërshe si të ndeshjes së fundit, ku në të djathtë luajti Idrizaj, në qendër Selmani dhe Aleksi, si dhe Xheksoni në të majtë.Nëse qendërmbrojtësi Ivanoviç luan titullar ndaj Kukësit, atëherë Martini do t’i bëjë një vend Aleksit në mesfushë, aty ku rivaliteti është shtuar tashmë, pasi përveç Dajës është shtuar edhe ganezi Reuben Akuah, i cili në dy takimet e fundit ka luajtur nga minuta e parë.Sa i përket pjesës ofensive, Martini është më i qartë, pasi E.Vila në të djathtë, Kallaku pas sulmuesit kryesor dhe Pepi Gjeorgiev në majë duken të sigurt në formacion. Dilema e vetme është Koubemba apo Plaku nga fillimi, me këtë të fundit që e ka lënë pas dëmtimin.