Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim ka vizituar bashkë me ministren e Energjisë, Belinda Balluku zonën që do të ndërtohet hidrocentrali i Skavicës dhe ku ka nisur puna në terren për hartimin e projektit i cili konsiderohet si pjesa e katërt e kaskadës së Drinit.
Ambasadorja Kim ka ritheksuar prioritetet e SHBA në Shqipëri, duke konsideruar përparime tek të tria dhe tha se është e kënaqur që ndodhet në Kukës së bashku me një nga kompanitë më të mëdha dhe më të shkëlqyera amerikane.
“Sikurse jeni në dijeni kur mbërrita në Shqipëri, tri ishin çështjet, demokracia, mbrojtja dhe biznesi. Ne kishim 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Ne kemi bërë përparim sa i përket mbrojtjes, Shqipëria pati mundësi të kishte një nga stërvitjet më të mëdha në Ballkan, në frontin e demokracisë kemi bërë përparim. Sa i përket biznesit do vijojmë të ecim përpara pavarësisht çdo pengese. Jam shprehur për të risjellë sa më shumë mundësi ekonomike në veri. Jemi të kënaqur që jemi në fazat e hershme të këtij projekti.”