Të tjera detaje dalin në dritë nga krimi i dyfishtë, që tronditi kryeqytetin, pasditen e së shtunës. 26-vjeçari nga Dibra, Klinton Pira, ishte zhvendosur prej vitesh në zonën e Don Boskos në Tiranë, ndërsa 3 vitet e fundit kishte emigruar në mënyrë të paligjshme në Angli.

Çifti shqiptaro-ganez kishte nisur historinë e dashurisë nga një njohje në internet. Ata duket se kishin një marrëdhënie solide, pasi 26-vjecari postonte foto me të dashurën ne rrjetet sociale, duke i shprehur ndjenjat. Madje mësohet se dashuria e tyre pritej të finalizohej në një martesë.

Por një lidhje e ndarë mes Francës dhe Tiranës, ku në mes kishte xhelozinë, është bërë shkak i debateve të shumta, të cilat vazhduan edhe një ditë para krimit të dyfishtë. I riu ishte deportuar në Tiranë, ndërsa 31-vjeçarja Jaësackie Jaboah vendos të udhëtojë në Shqipëri, për të sqaruar konfliktet e vazhdueshme.

Pasi ka mbërritur në Shqipëri, 31-vjeçarja është takuar me të dashurin e saj në banesën e marrë me qira ditore, në rrugën Pjetër Budi. Por, takimi i tyre është kthyer në një skemë krimi, ku sherri ka degraduar në përdorimin e armëve të ftohta. I riu ka goditur disa herë në gjoks të dashurën e tij, e cila e plagosur rëndë ka mundur të zbresë 8 kate për të kërkuar ndihmë dhe ka gjetur vdekjen më pas në spital. I gjendur në kushte të rënduara psikologjike, 26-vjeçari është vetëhedhur nga kati i 8 i banesës, ku ka gjetur vdekjen e menjëhershme.

Por tragjedia në familjen Pira ka nisur disa vite më parë, ku i ati i Klintonit, Genci Pira, është gjetur i vetëvaruar në një pemë, në një fshat të Bilishtit. I riu në atë kohë ndodhej në Angli dhe e kishte përjetuar dramatikisht humbjen e të atit. Vdekja e babait u konsiderua si vetëvarje, por në Polici familjarët kishin deklaruar dyshimet e tyre për vrasje, për shkak të një hasmërie të vjetër me një familje tjetër nga Dibra.