Facebook, Instagram dhe Whatsapp janë jashtë funksionit, për më shumë se katër orë. Mosfunksionimi i aplikacioneve të popullarizuara “Facebook”, “Instagram” dhe “WhatsApp” në nivel global, ka alarmuar tërë botën dhe sipas informacioneve të para nga gazetarët botërorë, “Facebook”-ut i ka rënë i tërë sistemi dhe kështu punonjësit e kësaj kompanie nuk po mund as të futen në vendin e tyre të punës – kështu të paktën pretendon gazetarja e “New York Times”.
“Sapo bisedova me disa që punojnë në ‘Facebook’, të cilët më shpjeguan se punonjësit nuk po mund të futen në ndërtesë për të vlerësuar shkallën e ndërprerjes, pasi kartat e identifikimit në hyrje gjithashtu nuk u kanë punuar”, ka shkruar gazetarja e NYT, Sheera Frenkel.
Ndërkohë nga Facebook janë deklaruar lidhur me këtë në rrjetin social Twitter.
“Jemi të vetëdijshëm që disa persona po kanë probleme me qasje në aplikacionet tona. Po punojmë që gjërat t’i kthehen normalitetit dhe kërkojmë falje për këtë”, thuhet në kumtesën e tyre.
Tri aplikacionet që janë në pronësi të themeluesit të Facebookut, Mark Zuckerberg, veprojnë në një infrastrukturë të përbashkët, nuk janë të qasshme për përdoruesit që para orës 17:00.





