Blagoja Todorovski u rikthye si titullar ndaj Kukësit, ku bëri një paraqitje për t’u vlerësuar. Veterani i mbrojtjes durrsake analizoi fitoren e marrë ndaj Kukësit, si dhe u ndal te dueli i radhës me Tiranën.

Edhe pse ekipi mban provizorisht vendin e dytë, lojtari nga Shkupi ka besim se Teuta edhe këtë vit nuk do ta diskutojë kreun, duke realizuar objektivin e vendosur nga klubi.

Pauza e kampionatit erdhi si me porosi, pasi ju krijoi mundësi që ta përgatisni me qetësi sfidën me Tiranën…

Jo se e presim me qetësi, por ajo fitore ndaj Kukësit na dha shpresë për cilësinë e lojës dhe agresivitetin që kërkojmë. Këto na japin siguri që ekipi po funksionon. Vinim pas dy barazimeve në kampionat. Për një skuadër që luan në bllok, në grup dhe e disiplinuar nga ana taktike, them se kritikat dalin jashtë loje, pasi gjithçka shkon sipas detyrave të përcaktuara nga trajneri.

Çfarë prisni të përmirësoni nga ndeshja me Kukësin?

Ekipi i ka mundësitë që nga ndeshja në ndeshje të rrisë paraqitjen. Kemi lojtarë cilësorë dhe që duan patjetër të bëjnë sukses, sidomos për t’i dhënë kënaqësi qytetit që e do ekipin dhe kërkon të jenë gjithmonë të parët.

Sa e fortë është Teuta dhe sa e dobët është Tirana?

Ne të gjithë jemi optimistë për sfidën e radhës. Ndërsa për Tiranën mund të them që janë një ekip i mirë, nuk kanë dallime me të tjerët, pavarësisht gjendjes së mirë që po kalojnë.

A jeni të përgatitur për t’u përballur me bardheblutë, pasi edhe synimi i tyre janë 3 pikët për të ruajtur kreun?

Të gjithë lojtarët janë përgatitur dhe impenjuar maksimalisht për këtë takim. Megjithatë, çelësi ynë i suksesit nuk është te përgatitjet. Ne po punojmë gradualisht, hap pas hapi, në çdo sfidë për të dhënë më të mirën dhe për të kaluar çdo pengesë.

A mund ta quajmë si finale ndeshjen me Tiranën?

Përpos renditjes, ndeshjet me Tiranën gjithmonë kanë qenë të bukura dhe të vështira. Kjo, për vetë faktin se kundërshtari ka një skuadër cilësore dhe me lojtarë që japin maksimumin në të tilla përballje. Për këtë motiv, duhet që të jemi më shumë se të përqendruar nga fillimi e deri në fund të lojës. Sa i përket renditjes, mbetet një tjetër anë që e ndërlikon këtë 90-minutësh.

Kujt i bëjnë më shumë punë pikët?

Nuk dua të mendoj për kundërshtarin, pasi asnjëherë nuk e kemi bërë një gjë të tillë. Ne mendojmë vetëm për veten tonë dhe kjo na ka bërë të ecim përpara. Na nevojitet mjaft ky trepikësh, pasi duam të ngjitim shkallët në renditje. Pozicioni aktual në renditje nuk i shkon për shtat Teutës, pasi synojmë vetëm vendin e parë.

Pas 4 javësh cili është kundërshtari që do ta quanit më të fortë?

Sigurisht që në këto katër javë, skuadra si Teuta, Tirana, Vllaznia dhe Kukësi janë pak më mirë se të tjerat, por mendoj se të gjithë të tjerët do të luftojnë me njëritjetrin. Është kampionat i balancuar dhe do të triumfojë ai që do të ketë formën më të mirë, por 3- 4 ekipe do të luftojnë së bashku deri në fund.