Deklarata e bërë nga kryeministri Edi Rama dy ditë më parë, në lidhje me bashkimi i Shqipërisë me Kosovën, ka shkaktuar reagime në Beograd e Moskë.
Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Maria Zakharova ka thënë se Moska e konsideron të papranueshme deklaratën e Ramës dhe pret një reagim siç e ka quajtur “të përshtatshëm nga Perëndimi”.
“Ne e konsiderojmë deklaratën e kryeministrit shqiptar Edi Rama për bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës absolutisht të papranueshme. Promovimi i planeve për krijimin e një Shqipërie të Madhe është në kundërshtim të madh me dispozitat e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe minon stabilitetin në rajon,” tha Zakharova, raporton Tass.
Sipas saj, “kjo deklaratë nuk futet në kontekstin e përpjekjeve të përbashkëta nga Beogradi dhe Tirana për të krijuar një treg të vetëm, të cilin ata po e ndërmarrin si pjesë e nismës rajonale “Ballkani i Hapur” së bashku me Shkupin”.
“Ne presim një reagim të përshtatshëm nga mentorët perëndimorë të projektit të shtetndërtimit të Kosovës ndaj këtij provokimi të pacipë”, tha Zakharova.





