Në kuadër të vizitës zyrtare që Ministrja për Evropën në Mbretërinë e Bashkuar, Wendy Morton, po zhvillon në vendin tonë, Porti i Durrësit ishte ndalesa e radhës, ku u prit nga Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli, Drejtori i Kufirit dhe Migracionit, Eduart Merkaj dhe Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës, Pirro Vengu.
Rritja e kapaciteteve të kontrollit kufitar në portin e Durrësit, lufta kundër paligjshmërive dhe investimet e reja në infrastrukturën portuale në Shqipëri, ishin në fokus të bashkëbisedimeve.
Në përputhje me vizionin e dy qeverive për të thelluar edhe më tej bashkëpunimin e shkëlqyer mes agjencive tona ligjzbatuese, palët ranë dakord për të bashkërenduar metodat dhe sistemet e sigurisë në zonat kufitare portuale, me mbështetjen e Agjencise Britanike të Taksave dhe Doganave dhe Forcën Kufitare britanike.
Znj. Morton theksoi se Britania konfirmon angazhimin për një marrëdhënie më të ngushtë me Shqipërinë dhe për të luajtur një rol pozitiv të vazhdueshëm në Ballkanin Perëndimor, me në fokus edhe forcimin e marrëdhënieve tregtare, ku Porti i Durrësit është një ndër pikat kryesore të ndërveprimit.
Prej vitesh Shqipëria dhe Britania e madhe kanë një bashkëpunim cilësor në fushën e sigurisë, kontrollit kufitar dhe goditjes së trafiqeve.