Pak orë para ndeshjes me Poloninë një tjetër futbollist do t’i mungojë Kombëtares Shqiptare.

Mesfushori Klaus Gjasula nuk do të jetë në dispozicion të skuadrës, pasi rezultoi pozitiv me Covid-19.

Futbollisti kuqezi ka pasur simptoma dhe ka bërë menjëherë testin me tampon, ku më pas ka rezultuar pozitiv. Në këto kushte në bazë të protokollit sanitar i gjithë ekipi dhe stafi teknik kanë kryer sërish testin me tampon dhe të gjithë kanë rezultuar negativ.

Klaus Gjasula bëhet kështu mungesa e pestë e kuqezinjve në ndeshjen me Poloninë, pasi Bekim Balaj e Berat Gjimshiti janë të dëmtuar, Endri Çekiçi i skualifikuar ndërkohë që Sokol Cikalleshi, rezultoi ditën e djeshme pozitiv me Covid-19.