Një ngjarje e rëndë është shënuar paraditen e kësaj të enjteje në plazhin e Orikumit, ku një turist shqiptar, rreth 75 vjeç nga Tirana, ka humbur jetën pasi dyshohet se pësoi një infarkt.

Sipas informacioneve paraprake, i moshuari kishte shkuar për pushime në Orikum së bashku me familjen. Rreth orës 11:30, menjëherë pasi ka hyrë në det, ai është ndier keq dhe ka humbur ndjenjat.

Pushuesit dhe familjarët kanë ndërhyrë menjëherë, duke e nxjerrë nga uji dhe duke kërkuar ndihmë mjekësore.

Në vendngjarje mbërriti ambulanca e Orikumit, ndërsa personeli shëndetësor kreu manovrat e reanimimit në përpjekje për t’i shpëtuar jetën 75-vjeçarit, por pa sukses.

Paraprakisht dyshohet se shkaku i vdekjes ka qenë një infarkt kardiak, ndërsa autoritetet pritet të konfirmojnë zyrtarisht shkaqet dhe rrethanat e plota të ngjarjes pas kryerjes së veprimeve procedurale.