Maratonës së Tiranës që do të mbahet të dielën do i bashkohet edhe çifti nga Afganistani, që mbërritën bashkë me refugjatët e parë në Tiranë. Gjatë një pritjeje në zyrën e tij, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se bashkë me dy të rinjtë nga Afganistani do të garojnë edhe qindra vrapues të huaj në maratonë.

“Erdhën nga Afganistani, por duan të integrohen në Shqipëri. Sigurisht që kjo garë është e rëndësishme por jo aq e rëndësishme sa gara e madhe që kemi përpara, për të krijuar një familje në vendin tonë dhe për t’ia filluar jetës nga e para, ashtu si shumë prej nesh filluan jetën nga e para kur kanë qenë në emigracion dhe është dashur të përballen me shumë sfida”.

Maratona e Tiranës do të bëjë bashkë sportistë profesionistë dhe amatorë nga gjithë bota. Përveç se një garë sportive, maratona e kësaj të diele do të jetë edhe një ditë pa makina. Shefi i sektorit të Qarkullimit në Policinë Bashkiake, Gentian Vocaj tha se në shumë akse nuk do të lejohet qarkullimi dhe parkimi i automjeteve përgjatë itinerarit të maratonës.

“I bëjmë thirrje të qytetarëve që kanë mjete të parkuara në itinerarin e maratonës, që t’i lëvizin këto mjete deri sot në darkë, në rast të kundërt, këto mjete do të lëvizen nga karrotrecët e Policisë Bashkiake dhe do të çohen në pikat e bllokimit”.

Kufizimi i qarkullimit të automjeteve do të jetë prej orës 07:00 të mëngjesit deri në orën 17:00.