Modelja shqiptare Angela Martini ka reaguar pas kritikave dhe komenteve që pasuan një fragment të shkurtër të një interviste, në të cilën ajo foli për interesimin e saj për Kabalën.

Martini sqaroi përmes postimeve në rrjetet sociale se nuk është konvertuar në një fe tjetër dhe se nuk është bërë pjesë e ndonjë sekti. Ajo tha se interesi për Kabalën daton që nga viti 2012 dhe se për rreth gjashtë vite e ka studiuar intensivisht.

“E kuptoj që emocionet janë të forta, por nga një fragment 40-sekondësh është krijuar një histori e tërë”, shkroi Martini.

Ajo theksoi se nuk e ka nisur këtë rrugëtim në vitin 2026 për të tërhequr vëmendje.

“Nuk u konvertova, nuk ndryshova fenë, nuk iu bashkova ndonjë sekti dhe as ‘shita shpirtin tim’”, u shpreh modelja.

Martini kundërshtoi gjithashtu interpretimin se studimi i Kabalës nënkupton automatikisht konvertim në Judaizëm.

“Të studiosh Kabalën nuk do të thotë të konvertohesh në Judaizëm, ashtu si eksplorimi i një mësimi shpirtëror nuk përcakton të gjithë identitetin e një personi”, shkroi ajo.

Modelja tregoi se rrugëtimi i saj shpirtëror ka përfshirë edhe astrologjinë, Meditimin Transcendental dhe mësimet e Paramahansa Yoganandës, krahas Kabalës dhe interesimit për fuqinë e mendjes.

Ajo reagoi edhe ndaj mënyrës se si, sipas saj, një fragment i shkëputur mund të krijojë një perceptim të gabuar për një person.

Interesi i saj për Kabalën ishte bërë publik fillimisht përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, ku Martini tregoi se e kishte zbuluar këtë traditë në vitin 2012 dhe se e kishte studiuar intensivisht për gjashtë vite.