Në sfondin e luftës në Lindjen e Mesme, janë anuluar koncertet që Shakira dhe Christina Aguilera pritej të zhvillonin në Abu Dhabi.

Emiratet e Bashkuara Arabe mbeten objektivi kryesor i kundërpërgjigjes së Teheranit që prej fillimit, në fund të shkurtit, të sulmit amerikano-izraelit kundër Iranit. Vendi i Gjirit konfirmon se ka qenë në shënjestër të më shumë se 3 mijë raketave dhe dronëve, të cilët kanë goditur disa infrastruktura, edhe pse shumica e tyre janë interceptuar.

Edhe pse ritmi i sulmeve është ulur ndjeshëm gjatë muajve të fundit, organizatorët e festivalit Offlimits, ku Shakira pritej të performonte më 21 nëntor, njoftuan sot anulimin e tij përmes një deklarate për shtyp, duke premtuar rimbursimin e parave për spektatorët që kishin blerë bileta.

Shpresojmë ta rikthejmë Offlimits në vitin 2027”, thuhej në deklaratë, pa u specifikuar arsyeja e anulimit të edicionit të këtij viti.

Edhe platforma Ticketmaster, e cila do të shiste biletat për koncertin e Christina Aguilera-s më 25 shtator, njoftoi anulimin e tij, pa përcaktuar një datë të re, raportuan mediat e Emirateve.

Të dyja këto aktivitete ishin shtyrë edhe më parë për shkak të ndikimit të luftës në situatën e sigurisë dhe në transportin ajror. Festivali Offlimits ishte planifikuar fillimisht të zhvillohej në Abu Dhabi më 4 prill, ndërsa koncerti i Christina Aguilera-s ishte planifikuar më herët, më 24 prill.