Dhjetëra miliona njerëz në dhjetëra vende përballen me uri akute, kryesisht për shkak të konflikteve, tha sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.

Nëse nuk ndërmerren veprime të menjëhershme atëherë miliona afganë do të përballen me urinë gjatë këtij dimri, ka paralajmëruar Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së(WFP). Me

“Tani, Afganistani shënon ndër krizat më të këqija humanitare në botë”, tha WFP, duke shtuar se katastrofa po troket. Talibanët e morën kontrollin e Afganistanit në muajin gusht pasi Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tërhoqën forcat e tyre pas rreth 20 vjet të intervenimit ushtarak për të rrëzuar nga pushteti regjimin taliban. Ekonomia e këtij vendi ka qenë e brishtë, por marrja nën kontroll e talibanëve e përkeqësoi edhe më shumë situatën.

Fuqitë perëndimore pezulluan ndihmën, ndërsa Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ndaluan pagesat. Nëse Bruto Prodhimi i Brendshëm (PBB) i një vendi varet në shkallën 10% nga ndihmat e huaja atëherë konsiderohet si i varur nga ndihmat. Në Afganistan rreth 40% PBB-së ishte ndihmë ndërkombëtare, sipas Bankës Botërore. Shumë afganë tani po shesin pasuritë e tyre për të blerë ushqime.  Kriza e ushqimit në Afganistan është komplikuar nga mungesa e ujit dhe një thatësirë e madhe.

Pavarësisht premtimeve për të rivendosur stabilitetin në vendin e shkatërruar nga lufta, talibanët ende përballen me një sërë sanksionesh ndërkombëtare dhe një fushatë sulmesh të përgjakshme nga një degë e grupit militant ekstremist Shteti Islamik (IS).

Bashkimi Evropian më 12 tetor njoftoi një paketë financiare mbështetjeje për Afganistanin dhe fqinjët e tij me vlerë rreth 1 miliard euro. Fondet, sipas BE-së do të kanalizohen në organizatat ndërkombëtare që punojnë në terren dhe jo në Qeverinë e udhëhequr nga talibanët të cilën Brukseli nuk e njeh