Javët e fundit ka pasur një sërë polemikash në lidhje me rrezikun e mpiksjes së gjakut pas marrjes së disa vaksinave kundër COVID-19. Kryesisht fokusi ka qenë në vaksinën “AstraZeneca”, por gjatë javës që lamë pas, u pa gjithashtu që SHBA-ja ndaloi përdorimin e vaksinës “Johnson&Johnson” pasi u raportuan gjashtë raste të mpiksjes së gjakut.
Një studim i ri paraprak i ka vënë gjërat në perspektivë: rreziku i zhvillimit të një mpiksje gjaku nga COVID-19 është tetë herë më i lartë se rreziku i zhvillimit pas marrjes së vaksinës AstraZeneca.
Shkencëtarët në Universitetin e Oksfordit krahasuan rrezikun e mpiksjes së gjakut në tru, të njohur si tromboza venoze cerebrale (CVT) pas COVID-19, me rrezikun pas vaksinimit (duke përfshirë vaksinat mRNA, të tilla si Pfizer, Moderna dhe AstraZeneca-vaksina e Oksfordit).
Gjetja kryesore ishte se rreziku i CVT nga COVID-19 është rreth tetë herë më i madh në krahasim me vaksinën AstraZeneca, ndërsa rreziku i një CVT nga COVID-19 është rreth 10 herë më i madh në krahasim me vaksinat mRNA.
Rezultatet e studimit në mënyrë të përmbledhur renditen si më poshtë:
Në këtë studim me mbi 500,000 pacientë me COVID-19, CVT ndodhi në 39 pacientë nga 1 milion të tillë në total.
Në mbi 480,000 njerëz që kishin marrë një vaksinë mRNA për COVID-19 (Pfizer ose Moderna), CVT ndodhi në 4 nga 1 milion.
CVT u raportua në rreth 5 nga 1 milion njerëz pas dozës së parë të vaksinës AstraZeneca.
Përshtatur nga: University of Oxford