Kohët e fundit ndodh shpesh të dëgjojmë se stresi është një prej shkaktarëve kryesorë të shumë sëmundjeve në organizmin e njeriut. Por a mund të jetë ai edhe arsyeja pas ndjesisë së lodhjes dhe këputjes që shumë njerëz përjetojnë, madje edhe menjëherë pas zgjimit?
Përcaktimi i stresit si shkaktar është një përgjigje e shpejtë që shpeshherë e nxjerr mjekun nga situata, apo vërtet stresi luan një rol në përkeqësimin e shëndetit?
Për të sqaruar këtë dilemë të viteve të fundit, në emisionin “Shije Shtëpie”, këtë të premte, më 11 shtator, ishte e ftuar endokrinologia Megi Lekbello, e cila pohoi se stresi ka një ndikim negativ dhe ndikon patjetër në përditshmërinë tonë, duke shkaktuar edhe lodhje.
“Kur jemi të stresuar, në trupin tonë prodhohet hormoni i kortizolit dhe kortizoli ndikon dhe në dobësimin e masës muskulare që si rezultat jep lodhjen, po ndikon edhe në gërryerjen e kockës, duke shkaktuar në këtë mënyrë osteoporozë dhe probleme të tjera shëndetësore kur është në nivele të larta.”
Megjithatë, sipas mjekes, kortizoli i lartë i lidhur me stresin nuk është sëmundje, por ndodh si rezultat i një disbalance të ritmit të prodhimit të këtij hormoni.
“Kortizoli prodhohet në mëngjes për të na dhënë energjinë për të vazhduar ditën dhe është më i ulët gjatë darkës që na jep gjendjen e mungesës së energjisë për të fjetur gjumë. Në momentin që gjumi çrregullohet dhe kur jemi edhe të stresuar prishet ky ritëm cirkadian dhe kortizoli nuk prodhohet në këtë lloj kurbe, pra në kurbën fiziologjike të prodhimit të kortizolit dhe kjo jep më pas shqetësime të tjera si lodhja dhe mungesa e energjisë. Kështu që patjetër ndikon stresi.”
Mjekja theksoi se stresi ndikon negativisht kur bëhet fjalë për stres kronik, pra kur është i vazhdueshëm për një periudhë të gjatë, dhe jo kur ndodh në një ditë të caktuar për shkak të ngarkesës apo ndonjë faktori tjetër.





