Kampionët kanë vijuar përgatitjet në Durrës për dy ndeshjet e javës së ardhshme, e para me Korabin në Kupë dhe e dyta me Skënderbeun në kampionat.“Djemtë e detit” vazhdojnë të punojnë sipas programit të stafit teknik. Ndalesa e kampionatit është shumë e rëndësishme për nivelin që duhet të arrijë skuadra për pjesën e mbetur të sezonit. Ritmi i stërvitjes vazhdon të jetë i lartë, skuadra punoi sot me dy seanca paradite. Stërvitja u zhvillua për akumulim të forcës, kondicionit fizik, ndërsa pasdite vëmendja ishte te teknika dhe taktika. Në stërvitjen e djeshme prezentë ishin të gjithë futbollistët, ku vlen të theksohet se skuadrës i është bashkuar edhe Asion Daja, i cili gjatë javës ka punuar i veçuar. Ai pritet të jetë nën urdhrat e trajnerit Martini për javën e 9-të të Superiores.
Teuta nuk po kalon një periudhë të mirë. Rezultatet dhe paraqitjet e treguara në fushë dy javët e fundit janë dëshmitari më i pastër se kjo skuadër ka probleme të theksuara në mbrojtje. Edhe pse në stol u konfirmua Martini, një garanci për Teutën, sërish skuadra po vuan në të gjitha frontet.Në klasifikim është 8 pikë larg kryesuesve dhe tani po tentohet të përsëritet ajo që bëri një sezon më parë, ku ishte në të njëjtën situatë dhe në fund fitoi titullin. Mbrojtja dy vitet e fundit ka qenë pika më e fortë e kësaj skuadre, shpirti i vërtetë i një serie fitoresh dhe emocionesh të mëdha. Arapi dhe Hoxha ishin aty prej dy vitesh dhe pas largimit të tyre erdhën të tjerë lojtarë, por ky vit ka qenë i dobët.
Ka pësuar gol thuajse çdo ndeshje dhe 9 golat e pësuar deri tani në kampionat, e bëjnë të jetë mbrojtje, që “fut ujë”. Edhe sa i përket shënimit të golave, Teuta nuk ka bërë mirë. Kur shikon emra si Koubemba, Gjorgiev, Vila, Gruda e të tjerë, mendja menjëherë të shkon te golat. Por këto të fundit janë parë me pakicë, në një skuadër, që e ka të vështirë të konkretizojë. Me të vërtetë që mbrojtja të jep kampionatet, por përpara duhet shënuar. Humbjet janë ato që nuk pranohen te Teuta. I vuajnë shumë brenda ambientit, të bëjnë keq. Të ulin entuziazmin. Në tetë ndeshje kampionati, jemi në kuotën e 3 fitoreve, 3 barazime dhe 2 humbje.