Ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha, është shprehur se Rama e Basha do të marrin në datën 11 dhjetor përgjigjen më të hidhur që mund të ketë marrë dikush në 30 vite.
Komentet Berisha i bëri nga qyteti i Burrelit, ku po mban “Foltoren” e tij të radhës.
Ai shtoi se firmat e mbledhura i dhanë PD-së një mundësi për të qenë më e bashkuar se kurrë.
“Mbështetja juaj do themelojë më 11 dhjetor pluralizmin shqiptar.
11 dhjetori vjen në Shqipëri si data e kurorëzimit të mrekullisë së dytë më të madhe shqiptare që nga viti ’90. Ata që menduan se erdhi fundi i pluralizmit në Shqipëri, ata që menduan se narko-shteti do të jetë e sotmja dhe e ardhmja e shqiptarëve, ata që menduan t’i shkatërrojnë shqiptarëve forcën e idealeve dhe lirisë, gabuan rëndë.
Edi Rama merr më 11 dhjetor përgjigjen më të hidhur që mund të ketë marrë dikush në këto 30 vite. Pengu i tij Lulzim Basha, i cili është futur në lojën më të rrezikshme, në atentat ndaj lirisë së shqiptarëve dhe pluralizmit do të arkivohet në arkivat e turpit të historisë së këtij vendi.
Mafia e George Sorors që bëri për të shndërruar opozitën në një ministri të narko-shtetit do të dështojë në turp dhe këtë dështim e mirëpret Shqipëria, forcat konservatore në Shqipëri, SHBA e kudo në botë”, tha Berisha.





