Edhe pse kanë kaluar 2 vite nga tërmeti tragjik, data 26 nëntor do të mbahet mend si një ditë zie, pasi humbën jetën 51 qytetarë dhe dolën në “qiell të hapur” mijëra familje.

Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako përmes një postimi në “Facebook”, shprehet e pikëlluar për humbjen e jeteve në natën tragjike.

Sako shkruan se edhe pse Durrësi u godit nga tërmeti dhe më pas nga pandemia, qyteti po ringrihet sërish në madhështinë e tij.

Kryebashkiakja në postimin e saj bën me dije se pas tërmetit pallatet janë rikonstruktuar, shkollat dhe banesat janë ngritur më të forta dhe mijëra familje janë rikthyer në shtëpitë e tyre.

Ndërkohë ajo kujton edhe projektet e reja që do ta kthejnë Durrësin në një qytet evropian, si Eco Parku i cili është drejt përfundimit, porti turistik dhe projekti i amfiteatrit.

Postimi i plotë i Sakos:

Sot, dy vjet nga tërmeti i 26 nëntorit kujtojmë me respekt e dhimbje jetët e humbura atë natë tragjike që goditi qytetin dhe zemrat tona! I paharruar qoftë kujtimi i tyre!

2 vitet që lamë pas ishin vitet më të vështira për Durrësin, si pasojë e tërmetit dhe pandemisë. Por pavarësisht këtyre dy fatkeqësive qyteti ynë po ringrihet dhe po gjen sërish madhështinë për historinë dhe vlerat që mbart.

Tërmeti i 26 nëntorit do të mbetet gjatë në memorien tonë si një ngjarje që na goditi dhe na dëmtoi, por nuk na zbehu forcën, dëshirën dhe besimin se bashkë mund të ringrihemi.

Sot, 2 vjet pas asaj fatkeqësie pallatet janë rikonstruktuar, shkollat dhe banesat janë ngritur më të forta e më të bukura se ato që ishin dhe mijëra familje janë rikthyer në shtëpitë e tyre, por puna vazhdon. Rindërtimi është një proces historik. Shpreh bindjen se puna jonë e përkushtuar si bashki në shërbim të qytetarëve dhe mbështetja maksimale e qeverisë dhe kryeministrit Rama do të sjellin shumë shpejt përfundimin e procesit të rindërtimit dhe normalitetin në qytetin tonë.

Por vizioni ynë për Durrësin është ai i një qyteti evropian dhe përfundimi i rindërtimit bashkë me projekte të tjera madhore si Eco Parku i cili është drejt përfundimit, porti turistik, projekti i amfiteatrit do ti japin Durrësit shkëlqimin e merituar dhe të gjithë qytetarët tanë do të kenë një qytet më të mirë, më të bukur dhe me mundësi të reja zhvillimi.

Për Durrësin tonë!