2 vjet pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019 i cili shkaktoi 51 viktima, mbi 1 mijë të plagosur dhe qindra banesa të shkatërruara ringritja e Durrësit, po ecën me ritme të ngadalta.

Nga 6 mijë familje që mbetën të pastreha dhe përfituan bonus qiraje pas tërmetit shkatërrues, 3800 vijojnë të mbështeten nga bashkia, e cila vijon të punojë me procesin e rindërtimit në disa programe.

Vetëm dy pallate në Durrës dhe dy të tjera në Manëz janë ndërtuar deri tani, ndërsa pritet që në fundvit të dorëzohen çelësat e apartamenteve të parë.

Shumë nga pallatet DS4 janë në pritje të riforcimeve, ndërsa procesi nuk ka përfunduar tek godinat me dëme DS1-DS3.

Kryebashkiakja Emiriana Sako sqaron se procesi është kompleks dhe kërkon kohën e vet.

“Qeveria shqiptare ka pasur në prioritet programin e rindërtimit. Ne kemi realizuar rindërtimin e 214 ndërtesa individuale. Nga ana tjetër, brenda qytetit kemi bërë riparimin e 405 pallateve, punë të cilat qytetarët nuk i realizonin dot vetë. Kemi kthyer gjithashtu në jetë normale 4 mijë familje. Ka filluar procesi i rindërtimit të pallateve po aty ku kanë qenë. Presim brenda këtij viti të ndajmë apartamentet e para. Durrësi ka një buxhet të ndarë mes Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe fondit të Abu Dabit për zhvillim. Sigurisht ky është volumi më i madh i punës. Kemi ende në proces me Institutin e Ndërtimit disa objekte që po marrin vlerësimin final të strukturave të tyre” tha Sako.

Në 2-vjetorin e tërmetit, të tjerë pallate pritet të shemben me eksploziv, ndërsa shumë qytetarë janë ende të paqartë për fatin e pallatit të tyre.

Protesta të shumta janë zhvilluar para bashkisë dy muajt e fundit, por problematikat rrallë marrin zgjidhje. Të lodhur, banorët kërkojnë të rikthehen në shtëpitë e tyre.

Vonesat me bonusin e qirasë irritojnë banorët. Shpesh atyre u duhet të paguajnë pronarët me paratë e rrogave apo pensioneve. Megjithëse jemi në fund të nëntorit banorët që trajtohen me bonus qiraje nuk kanë marrë ende këstin e tetorit.

Procesi i Rindërtimit ka ecur mirë në NJA Manëz. 9 pallate po rindërtohen në sitin e ri, dy prej të cilëve do të dorëzohen brenda këtij viti.

Pak ditë më parë, në bashki u hodh shorti për ndarjen e apartamenteve. 42 familjet e para pritet të sistemohen në shtëpitë e reja brenda pak javësh.

Në mars të vitit të ardhshëm pritet të përfundojë procesi i rindërtimit të Shijakut. Plot 31 pallate të reja po ndërtohen nga e para.

Aty do të akomodohen rreth 600 familje të mbetura të pastreha nga tërmeti.

Kryebashkiaku Elton Arbana sqaron se ecuria e procesit të rindërtimit është mjaft e mirë.

“Kanë mbaruar plot 800 banesa individuale në bashkinë e Shijakut në këto dy vite dhe ka nisur puna intensivisht për ndërtimin e 31 pallateve të reja. Punohet me 2 turne, me qëllimin e vetëm që familjet që kanë humbur banesat e tyre të futen në shtëpitë e reja një orë e më parë.

7-8 pallate do të përfundojnë brenda këtij viti dhe ne do të bëjmë ndarjen e tyre sipas shorteut”,- thotë Arbana.

Dy vite pas tërmetit, qytetarët e Durrësit pyesin: Kur do të përfundojë procesi i rindërtimit?

Zv/kryeministri Ahmetaj, më datë 26 tetor, tha në Kuvend se në fund të shtatorit të vitit 2022 mbarohet me procesin e rindërtimit pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit të dy viteve më parë.

Me dhjetëra pallate që presin të rindërtohen, qindra godina që do të riparohen dhe sitin e Spitallës ku do të ndërtohet një lagje e re procesi i rindërtimit në Durrës duket ende larg objektivave të qeverisë.