Bashkia e Durrësit ka organizuar ditën e sotme një ceremoni solemne në përkujtim të ngritjes së flamurit të pavarësisë në Durrës më 26 nëntor 1912.

Në këtë ceremoni të zhvilluar kanë marrë pjesë kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako, prefekti Roland Nasto, kryetari i qarkut Alfred Mullaraj, kryetari i këshillit bashkiak Ani Dyrmishi dhe përfaqësues të veteranëve.

Pas tingujve të himnit kombëtar, flamurin pranë bashkisë e ka ngritur kryebashkiakja, Emiriana Sako, e cila shprehet se ndjehet e nderuar që përsëriti me solemnitet dhe përgjegjësi aktin historik.

“Jam e nderuar që përsërita sot, 109 vjet më pas, me solemnitet dhe përgjegjësi, aktin historik që kreu kryetari i parë i bashkisë së Durrësit Hafiz Ali Podgorica, duke ngritur flamurin shqiptar më 26 nëntor të vitit 1912. Të gjithë përulemi me respekt përpara të gjithë atyre patriotëve që sakrifikuan gjithçka për pavarësinë e vendit. Në këtë ditë sot festojmë me dinjitet sepse Shqipëria nuk është ajo e fillimit të shekullit 20, ku shqiptarët ishin populli më i diskriminuar, më i pambrojtur, populli më pa aleta, ishte populli i cili me trojet tij mund ti bëhej nder të tjerëve. Shqiptarë sot janë një popull që të drejtate tyre historike po ia konpeson sot ajo Evropë shumë e përfolur.“, tha Sako ndër të tjera.